Lajme

Murphy: Kurti po i rrezikon trupat e KFOR-it, s’do kemi interesim t’i financojmë ushtarët që vihen në rrezik


Chris Murphy

Senatori amerikan, Chris Murphy, në një intervistë për “Atlantic Council”, ka thënë se “veprimet e panevojshme” të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, po i vendosin në rrezik të drejtpërdrejtë paqeruajtësit amerikanë në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR).

Murphy, i cili muajin e kaluar vizitoi Kosovën dhe zhvilloi takim me Kurtin, pohoi se rrezikimi i ushtarëve amerikanë nuk është diçka që do të aprovohet nga senatorët e SHBA-ve, ndërsa shtoi se ata s’do të jenë të gatshëm të ndihmojnë financiarisht as Kosovën e as Serbinë nëse palët nuk ndërmarrin hapa për ruajtjen e paqes.

“Trupat amerikane janë pjesë e forcës që NATO-ja ka ofruar për të mbrojtur Kosovën dhe mendoj se vendimet e Prishtinës aktualisht po rrezikojnë forcat e NATO-s në mënyrë të panevojshme. Për këtë gjë senatorët s’do të jenë kurrë të interesuar në financimin e trupave amerikane që vihen në rrezik të panevojshëm”.

“Zgjedhësit e mi nuk do të jenë të gatshëm të dërgojnë para në rajon nëse nuk shohin liderët duke ndërmarrë hapa të arsyeshëm dhe të nevojshëm për të ruajtur paqen. Hapat që janë ndërmarrë në veri të Kosovës kanë qenë provokime të panevojshme”, shtoi ndër të tjera Murphy.

Ndryshe, tensionet janë kthyer sërish në veri të Kosovës, pas zgjedhjeve lokale të 23 prillit për katër kryetarët e komunave atje – Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut – të cilat i fituan kandidatët shqiptarë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës.

Serbët lokalë janë duke protestuar që prej 29 majit në këto komuna të banuara me shumicë serbe, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në objektet komunale, ku për pasojë janë plagosur 30 pjesëtarë të forcës paqeruajtës, kryesisht italianë dhe hungarezë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi ditë më parë se për këtë arsye ka vendosur të dislokojë 700 trupa të tjera nga Forca Operacionale për Ballkanin Perëndimor në Kosovë dhe ka vendosur gjithashtu një batalion shtesë të forcave të NATO-s në gatishmëri të lartë.

Qetësimi i situatës në pjesën veriore të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja lokale dhe kthimi në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi janë tri kërkesat e përbashkëta të bashkësisë së organizuar ndërkombëtare për dalje nga kriza.

Megjithatë, kreu i ekzekutivit kosovar njoftoi se ka prezantuar një plan prej pesë pikave për uljen e tensioneve në veri: Sundimi i ligjit atje; tërheqja e grupeve të dhunshme; Policia e Kosovës, KFOR-i dhe EULEX-i të kryejnë vlerësime të përbashkëta të sigurisë; shpallja e zgjedhje të parakohshme; dhe rikthimi në dialog.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore