Lajme

Murati për Abdixhikun e Hotin: Njohuritë rreth ekonomisë u mjaftojnë vetëm sa për të llogaritur kusurin


Hekuran Murati

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT), Hekuran Murati, nëpërmjet një postimi në “Facebook” të dielen, vlerësoi se njohuritë e anëtarëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) rreth përformancës së investimeve – Lumir Abdixhiku dhe Avdullah Hoti – janë të mjaftueshme vetëm sa për të llogaritur se sa duhet kthyer kusuri, por jo për gjëra tjera.

Murati në fakt ri-shpërndau një postim nga viti i kaluar, kur ekonomistët e LDK-së akuzonin qeverinë se kursimet pensionale janë duke humbur vlerë nga gjysmë milion euro në ditë. Madje, ai konsideroi se Abdixhiku e Hoti atëherë kishin nisur një “fushatë dezinformimi” mbi Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës (Trust) dhe përformancën e investimeve.

“Trusti do duhej t’i kishte humbur 180 milionë euro deri më sot, për një vit”, shkroi ministri kosovar duke iu referuar brengave të Abdixhikut e Hotit një vit më parë, ndërsa shtoi se “koha dhe performanca e investimeve në Trust, tregon edhe njëherë se njohuritë e ekonomistëve të LDK-së janë të mjaftueshme vetëm sa për të llogaritur se sa duhet kthyer kusuri”.

Kosova megjithatë vazhdon të ketë probleme të mëdha ekonomike. Në opozitë e akuzojnë ekzekutivin kosovar për politika të gabuara ekonomike, ndërsa gjithashtu konsiderojnë se dhjetëra mijëra qytetarë, kryesisht të rinj të papunë e profesionistë të dëshpëruar, janë duke ia kthyer shpinën vendit të tyre për të nisur jetë të re në shtetet perëndimore për shkak të keqqeverisjes.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore