Kosova

Murati: Ekonomia e Kosovës po tregon qëndrueshmëri


Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se përkundër sfidave botërore që po ka ekonomia e Kosovës ajo po tregon qëndrueshmëri.

Këtë është shprehur ai përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, duke shtuar se trendi i qarkullimit të bizneseve në vend ka shënuar rritje.

“Përkundër sfidave të vazhdueshme globale, ekonomia e vendit tonë po tregon qëndrueshmëri të jashtëzakonshme duke vazhduar zgjerimin edhe në tremujorin e dytë të këtij viti. Kjo vërehet edhe në trendin e qarkullimit të bizneseve në vend”, ka shkruar ai.

Ndërsa, ka përmendur disa nga veprimet që ka marrë Qeveria e Kosovës gjatë kësaj periudhe.

“Si qeveri kemi zhvilluar fushatën e vaksinimit më efektiven në rajon, gjë që ka mundësuar heqjen më të shpejtë të kufizimeve dhe hapjen e tërësishme të ekonomisë. Kemi subvencionuar çmimin e energjisë elektrike, gjë që mundëson bizneset tona të jenë më konkurrente dhe të rrisin eksportin”.

Ai ka theksuar edhe mbështetjen ndaj prodhuesve dhe subvencionimin në bujqësi.

“Kemi mbështetur prodhuesit në zgjerimin e kapaciteteve të tyre, duke subvencionuar 20% të vlerës së kredisë investuese, kemi rritur subvencionet në bujqësi duke trefishuar mbështetjen për grurin e duke rritur mbështetjen për produktet e kulturat tjera, kemi miratuar e shpërndarë pako masash, më shumë se cilado qeveri tjetër, për të mbështetur familjet në nevojë e rritur fuqinë e tyre blerëse”.

Murati shtoi se janë marrë edhe shumë masa e veprime tjera që sipas tij janë çdoherë në shërbim të mbështetjes së ekonomisë e bizneseve për të rritur prodhimin, eksportet e punësimin.

Në Kosovë, muajt e fundit ka pasur rritje të çmimeve në produkte të ndryshme duke filluar nga buka.

Sipas Qeverisë, rritja e çmimeve ka ardhur si pasojë e konfliktit mes Ukrainës dhe Rusisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore