Lajme

Murati e cilëson “dezinformatë” analizën e GAP-it mbi ndarjet buxhetore për komunat


Hekuran Murati

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT), Hekuran Murati, ka thënë se debati i fundit për ndarjet buxhetore për komunat për vitin 2024 të nisur në fillim nga Instituti për Studime të Avancuara (GAP), ku Qeveria e Kosovës është fajësuar se ka favorizuar komunat që drejtohen nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), nuk është asgjë tjetër veçse dezinformatë.

Bazuar në analizën e GAP-it për ndarjet buxhetore, konsiderohet se Qeveria e Kosovës, ashtu sikurse edhe vitin e kaluar, ka ndarë më shumë mjete për komunat e udhëhequra nga LVV-ja. Nga mbi 21 milionë euro për investime kapitale të reja, mbi 13 milionë janë ndarë për katër komunat që i udhëheq partia në pushtet – Gjilan, Kamenicë, Podujevë dhe Shtime.

“Kjo është e pavërtetë. Nëse qëllimi i atij raporti ka qenë dezinformimi i qytetarëve, mund të them se ia kanë arritur. Është e pavërtetë që ka dallim apo favorizim të komunave. Bëhet fjalë për për 13 milionë euro nga 860 milionë euro investime kapitale. Çka nuk trajton ajo analizë është edhe fakti që edhe projektet e reja i merr vetëm sipas kodit”, ka thënë ministri Murati.

Ai ka këmbëngulur se komunat asnjëherë nuk kanë pasur më shumë buxhet, duke iu referuar debatit dhe ankesave të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për ndarjet buxhetore për vitin 2024, ku, sipas tyre, për komunat e udhëhequra nga partitë opozitare, janë ndarë shumë pak mjete nga niveli qendror.

Gjilani edhe sivjet mbetet komuna me vlerën më të lartë të investimeve të reja, sipas institutit GAP, me investime në vlerë prej 6.3 milionë euro, apo rreth 29% të gjithsej investimeve të reja në komuna, ndërsa komuna e dytë me vlerën më të lartë është komuna e Shtimes, me investime të reja në vlerë prej 2.7 milionë euro, apo rreth 12.6% të gjithsej investimeve të reja.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore