Lajme

Murati dhe Hoti përplasen për kredi të skemës pensionale


Avdullah Hoti dhe Hekuran Murati.

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, ka përplasur ministrin e Financave, Hekuran Murati dhe deputetin e LDK-së, Avdullah Hoti në debat për kredi të skemës pensionale.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti e ka pyetur ministrin e Financave, Hekuran Murati se a është specifikuar se ku do të shkojnë 47 milionë euro kredi për skemën pensionale.

“Kredia për mbështetje buxhetore është marr kur kemi qenë në kulmin e pandemisë, po unë e shoh të panevojshme tash në tetor 2022, kur bilanci banka i qeverisë është 700-800 milionë euro. Kemi bilanc bankar që shkon deri në 800 milionë euro ndërkohë që po marrim kredi për mbështetje buxhetore. Ka qenë e nevojshme në vitin 2020, por jo tani”, tha ai.

Ndër të tjera, shtoi se që nga viti 2008, nuk është marrë ndonjë kredi për mbështetje buxhetore.

“Për të tretën herë po e sjell në Kuvend një marrëveshje që po të refuzohet, kjo nuk ka logjikë të shkohet përpara për një kredi 47 milionë euro kur ka bilanc bankar 800 milionë euro”, tha Hoti.

Ndaj këtyre akuzave reagoi ministri Hekuran Murati, i cili tha se borxhi nuk po rritet.

“Borxhi shtetëror nuk po rritet, madje sivjet borxhi është më i vogël se sa në fillim të vitit, ne përderisa mund të marrim kredi të reja, nuk po rritet borxhi publik”.

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere.

Pas debatit Murati, qeshi me komentet e ish-kryeministrit Hoti, por ky i fundit kërkoi nga ai të jetë më serioz.

“Kërkoj të jeni serioz kur flisni me mua”, i tha Hoti ministrit Muratit.

Gjithashtu, ky komision për të tretën herë ka diskutuar për projektin për skema sociale, projektligjin për ratifikimin e Marrëveshjes së Financimit ndërmjet Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim për “Projektin e Reformës së Sistemit të Ndihmës Sociale në Kosovë”, por i njëjti është kundërshtuar nga opozita.

Anëtari i këtij Komisioni, Ferat Shala, u shpreh se nuk duhet të votohet kjo reformë shteti të hyjë në borxh.

“Ne jemi pajtuar edhe më herët për reformën sociale, a ka pasur kapacitete financiare apo çfarë kapacitetesh kanë munguar që ju të filloni reformën e skemave sociale me buxhet vetanak”.

“Ne kemi raportin e auditorit i cili mjete ka mjaftë, që ju nuk keni mundur t’i harxhoni, as në investime kapitale dhe shumë kategori të tjera, pse duhet ju të hyni kredi për me rrit borxhin e shtetit për me filluar reformën e skemave sociale kur mjetet janë në konto te shtetit”, ka thënë ai.

Sipas tij, projekti për skema sociale vetëm do të shtynte qytetarët drejt kredisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore