Lajme

Murati: Bankat e kanë obligim të ofrojnë llogari bankare falas apo me kosto minimale


Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, këtë të marte ka njoftuar se rregulloren e re të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), nga data 1 gusht 2023, bankat “kanë për detyrë të ofrojnë llogari bazike falas ose me kosto minimale që nuk kalon 0.54 centë/muaj”.

“Tani e tutje pra, po zgjidhet edhe problemi i kostos së lartë për mirëmbajtje mujore të llogarive bankare ku nënat pranojnë shtesat për fëmijët e tyre”, shkroi ai në Facebook.

Ndërkaq, ministri Murati theksoi se shtesat për lehona dhe shtesat për fëmijë “janë tashmë premtime të përmbushura që në gjysmën e parë të mandatit”.

“Mbi 350 mijë fëmijë tani marrin shtesa çdo muaj, dhe mbi 90 mijë gra hapën llogari bankare për herë të parë”, potencoi ai.

Ndryshe, me 2 dhjetor të vitit të kaluar, Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve, kishte bërë të ditur se kishte hapur një tjetër aplikim për përfitim të shtesave për fëmijët e lindur më 2009.

Përfitime deri në atë kohë kanë pasur fëmijët e lindur në vitin 2010 dhe fëmijëve të lindur në vitin 2012.

Shuma që përfitojnë fëmijët deri në 2 vjet është 20 euro, ndërsa ata prej 2 deri në 12 vjet përfitojnë nga 10 euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore