Lajme

Murati, Abdixhikut: Premtimet për rritje pagash rezervoj për zgjedhjet e ardhshme


Hekuran Murati

Ministri i Financave, Hekuran Murati, në një paraqitje televizive në RTV Dukagjini, tha se propozimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës për një koeficient në vlerë prej 125 euro, aq sa reflektohet nga inflacioni në Kosovë, duhet të rezervohet për zgjedhjet e ardhshme.

“Me këtë premtim zgjedhor të garoj në zgjedhjet e vitit 2025 dhe ta shohim se a do ta bindë ndokënd. Po shihet një garë mes partive opozitare në një proporcion të zhdrejtë në raport me madhësinë që kanë. Sa më i vogël subjekti aq më lart e qojnë premtimin për koeficient”, tha Murati.

“Nuk ke kurrfarë kufizimi logjik kur nuk je në pushtet. Ne ndoshta i bëjmë e i tejkalojmë, por premtime të tilla kur nuk e ke pushtetin, nuk ke kurrfarë kufizimi logjik të mos bësh premtime për 150 euro e 200 euro”, shtoi ai kur iu përgjigj kritikave të opozitës për koeficientin e pagave.

Ndryshe, nga 120 sa ishte vlera e koeficientit për paga në sektorin publik, Qeveria e Kosovës me Ligjin e ri e ka ulur në 105, çka nënkupton paga më të vogla për rreth 80 mijë punonjës të administratës së shtetit në të gjithë sektorët.

Uljen e vlerës së koeficientit e ka bërë publike vetë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës kurse vlera nuk do të barazojë atë të vjetrën as në vitin e ardhshëm, meqë është paraparë që nga viti 2024 të jetë 110 euro.

Vlera e koeficientit ishte mbajtur e fshehur për një kohë shumë të gjatë asnjëri prej punëtorëve në sektorin publik nuk ishte informuar se sa do ta ketë pagën. Nga secila kategori kishin thënë për Albanian Post se vlerën e koeficientit e presin që të jetë 130 euro, nëse kjo vlerë do të ishte më e ulët të njëjtit kanë paralajmëruar protesta.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore