Kosova

Mungesa e progresit në dialogun Kosovë-Serbi, një ndër sfidat kryesore të Planit të Rritjes të BE-së për Ballkanin Perëndimor


Ilustrim

Në një opinion të Gjykatës Evropiane të Auditorëve (ECA) kushtuar planit të rritjes ekonomike prej 6 miliardë euro të Komisionit Evropian (KE) për vendet e Ballkanit Perëndimor, në hijen e paketës së zgjerimit, vlerësohet se mungesa e progresit në dialogun për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi paraqet një nga sfidat kryesore për paketën e asistencës financiare.

Duke qenë se as Kosova e as Serbia nuk do të mund të përfitojnë nga plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor në rast se nuk do të ketë përparim konkret në përmbushjen e obligimeve që burojnë nga Marrëveshja Bazë (Bruksel, 27 shkurt 2023) dhe Aneksi i Implementimit (Ohër, 18 mars 2023), ky parakusht “ilustron një nga sfidat drejt objektivit” në bazë të opinionit të ECA-s.

Gjashtë vendet e rajonit synojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian (BE) dhe janë në faza të ndryshme të arritjes së këtij objektivi, ndërsa plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor synon të nxisë rritjen ekonomike, përfshirë rritjen e konvergjencës socio-ekonomike dhe të përshpejtojë përafrimin e vendeve të rajonit me BE-në deri në anëtarësimin e ardhshëm në bllok.

Megjithëse auditorët e BE-së “mirëpresin” futjen e kushteve të rrepta për vendet e rajonit për të përfituar nga plani i rritjes, duke i lidhur fondet e BE-së me përmbushjen e kushteve që do të vendosen në agjendat e reformave për vendet e caktuara, mungesa e progresit në procesin për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë vlerësohet sfidë në vete.

KE-ja përcakton dy grupe parakushtesh që vendet duhet të respektojnë për të përfituar nga plani i rritjes ekonomike: vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të vazhdojnë të mbështesin dhe respektojnë mekanizmat demokratikë, duke përfshirë shtetin e së drejtës, ndërsa Kosova dhe Serbia duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive në normalizimin e marrëdhënieve.

“Në këtë drejtim është e rëndësishme që KE-ja të vazhdojë të monitorojë përmbushjen e të dy parakushteve si pjesë e raporteve vjetore të zgjerimit. Nëse një vend i shkel kushtet, atëherë KE-ja mund të vendosë të ngrijë fondet”, paralajmëroi ECA, duke iu referuar paketës së asistencës financiare prej 6 miliardë euro për periudhën nga viti 2024 deri në vitin 2027.

Megjithatë, nuk kursehet asnjë kritikë as ndaj KE-së për planifikimin e planit të rritjes ekonomike, ndërkohë që një ndër institucionet kyçe të BE-së, përveç vëzhgimit të procesit të përmbushjes së reformave, duhet të jetë gjithashtu në gjendje të kërkojë nga qeveritë kombëtare të rajonit që të rishikojnë dhe modifikojnë agjendat përkatëse të reformave të kërkuara.

“Ekziston rreziku që kushtet e disbursimit të mos jenë mjaftueshëm ambicioze dhe që treguesit të mos jenë mjaftueshëm të qartë dhe të matshëm. Mbetet gjithashtu e vështirë të sigurohet se reformat do të jenë të qëndrueshme, veçanërisht duke pasur parasysh kapacitetin e dobët administrativ të rajonit”, paralajmëroi ECA në një raport të fundit.

Niveli i konvergjencës ekonomike mes gjashtë vendeve të rajonit – Shqipëria, Kosova, Bosnje-Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia – dhe BE-së, ishte vlerësuar tejet i ulët për vite me radhë. Në përgjigje ndaj kësaj, nëntorin e kaluar, institucionet evropiane propozuan krijimin e një instrumenti specifik për financimin e Ballkanit Perëndimor.

Miliardat e BE-së i bëjnë bashkë liderët rajonalë – Kosova e Serbia s’mund të përfitojnë pa i normalizuar raportet

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore