Shqipëria

Mundësia e ekstradimit të fotografes ruse nga Shqipëria dhe precedentët e agjentëve GRU


Ndërkohë që hetimet vijojnë për foto-blogeren ruse të arrestuar në Shqipëri, Svetlana Timofeeva, Federata Ruse e shpalli në listën e kërkimit ndërkombëtar.

Kjo, nën akuzën e “marrjes së paligjshme të informacionit që përbën sekret shtetëror”.

“Autoritetet ruse kanë të drejtë ta kerkojnë ekstradimin brenda afateve dhe kushteve të tyre, por vendi ynë ka diskrecionin nëse duan ta ekstradojnë apo jo shtetasen e arrestuar”, u shpreh fillimisht juristja Ardita Sokoli për Albanian Post.

Sipas juristes shqiptare, në këtë rast nuk ka një marrëveshje detyruese ose me një përfundim absolut.

Gjykata shqiptare urdhëroi të mërkurën që dy rusët dhe ukrainasi të qëndrojnë në burg për akuzat e “sigurimit të informacioneve sekrete të karakterit ushtarak apo të çdo karakteri tjetër për t’i dhënë një fuqi të huaj, e cila cenon pavarësinë e vendit”.

Seanca u mbajt me dyer të mbyllura dhe nuk u dhanë detaje se pse të dyshuarit mund të kenë qenë të interesuar për vendin.

Tre të dyshuarit e mohuan akuzën për spiunazh.

Më herët, autoritetet shqiptare kanë ekstraduar një shtetas rus më 21 shkurt të vitit 2020.

Bëhej fjalë për anëtarin e organizatës terroriste ISIS, Rasul Miklaev.

Ai u mbajt për disa muaj me radhë në qendrën e Kareçit, ku u zbulua dhe përfshirja e tij në luftimet në Siri.

Miklaev po e përdorte Shqipërinë si tranzit për të shkuar drejt Evropës Perëndimore.

Së dyti, ai po i fshihej drejtësisë së Federatës Ruse.

“Shqipëria ka pranuar më parë kërkesë ekstradimi nga Rusia, por nuk kam informacion nëse kanë refuzuar më parë”, shtoi juristja shqiptare.

Rasul Miklaev
GRU

Biznesmeni rus Vladislav Klyushin do të ekstradohej në fund të vitit të kaluar drejt Shteteve të Bashkuara.

Sipas kërkesës së palës amerikane për ekstradim, Klyushin akuzohej vetëm për tregti të brendshme.

Por 41-vjeçari rus kishte lidhje të drejtpërdrejta edhe me një njësi speciale të shërbimit të inteligjencës ushtarake GRU.

Prandaj, avokatët e tij përdorën të gjitha mjetet për t’i rezistuar ekstradimit drejt SHBA-ve.

Ata pretenduan se klienti i tyre po ndiqet penalisht nga SHBA-të për arsye politike.

Në shtator të vitit 2016, më pak se njëqind kilometra larg burgut të Sion-it, në Hotel Palace, një njësi kibernetike e GRU-së kreu një operacion mësymjeje.

Asokohe, dy spiunë rusë, Yevgeny Serebryakov dhe Alexei Morenets, arritën të hyjnë në rrjetin WLAN të hotelit në Laussane ku Agjencia Botërore Anti-Doping (WADA) mbante një konferencë.

Vladislav Klyushin

Rusia ishte dënuar më parë për doping të kontrolluar nga shteti dhe ishte markuar publikisht nga WADA – njësia ruse e spiunazhit kibernetik 26165 me sa duket kishte për detyrë të hakmerrej ndaj agjencisë.

Shembulli i dy agjentëve kibernetikë rusë Morenets dhe Serebryakov tregon se si trajtohen spiunët.

Pas detyrës së tyre në Laussane, ata udhëtuan përsëri në Zvicër në prill të vitit 2018.

Këtë herë laboratori Spiez ishte objektivi i tyre – i cili, pas helmimit të ish-agjentit rus Sergei Skripal në Angli, supozohej se po siguronte prova të neuro-agjentit ‘Novichok’.

Këtë herë, megjithatë, Morenets dhe Serebryakov u kapën përpara se të vendoseshin në misionin e tyre.

Së bashku me dy bashkëpunëtorë, ata u kapën në Hagë, edhe falë informacioneve të shërbimit inteligjent zviceran.

Disa ditë pas arrestimit të tyre spektakolar, dy spiunët u deportuan në Rusi nga autoritetet holandeze.

Fotografja e arrestuar në Shqipëri shpallet në kërkim nga autoritetet ruse

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore