Lajme

Mund ta shpëtojnë Amazonën investitorët?


Kur vijnë ndërmend kursimet, banka apo investimet, nuk ka gjasa që të mendohet për një lidhje të tyre me pemët e harlisura të pyjeve tropikale.

Por bankat e njohura, menaxherët e aseteve dhe institucionet e tjera financiare ose zotërojnë aksione ose japin kredi për kompanitë që kanë lidhje me shpyllëzimin.

Kjo mbështetje në financa për të shpyllëzuar habitatet vendimtare ngre pyetjen e agjencisë së lajmeve, “BBC”, se si mund të ndihmojnë institucionet financiare në mbrojtjen e pyjeve të botës.

Thuajse një e treta e shpyllëzimit të botës ndërmjet viteve 2001 dhe 2015 ka qenë për shkak të prodhimit të mallrave përfshirë bagëtinë, sojën, vajin e palmës dhe letrën.

Në Brazil, ku shpyllëzimi ka arritur një maksimum prej 12 vjetësh, arsyeja kryesore është viçi. Dy të tretat e tokës së pastruar në Amazon dhe savanën Cerrado janë shndërruar në kullota bagëtish. Sipas një studimi, përpos humbjes së madhe të biodiversitetit, kjo e bën sektorin blegtor brazilian përgjegjës për një të pestën e të gjitha emetimeve nga shpyllëzimi i nxitur nga mallrat në të gjithë tropikët.

Dhe kjo nuk mund të ndodhë në këtë shkallë pa investime të mëdha financiare. Në total, kreditë prej 249 miliardë dollarësh iu dorëzuan kompanive të lidhura me shpyllëzimin midis vitit 2013 dhe prillit 2020, ndërsa investimet në kapital në kompani të tilla arritën në 37 miliardë dollarë që nga prilli 2020,

Kështu e ka nxjerrë Forests and Finance, një bazë të dhënash zhvilluar nga një koalicion ndërkombëtar i grupeve kërkimore dhe organizatave të shoqërisë civile.

Ndërkohë, tre nga menaxherët më të mëdhenj të aseteve në botë, BlackRock, Vanguard dhe State Street, kishin investuar 12.1 miliardë dollarë në prodhues dhe tregtarë, aktivitetet e të cilëve pretendohet se po nxisin drejtpërdrejt shpyllëzimin, sipas një analize të grupit mjedisor Friends of The Earth në shtator 2020.

Pengimi i burimeve të financimit për shpyllëzimin është bërë objektiv për shumë njerëz që punojnë për të ruajtur habitatet në të cilat mbështetet bota dhe klima.

Viçi brazilian

Amazona është një nga pyjet tropikale më të kërcënuara në botë dhe vendimtare për një klimë të shëndetshme botërore. Brazili, i cili është shtëpia e pjesës më të madhe të Amazonës, është gjithashtu eksportuesi më i madh i viçit në botë, duke përbërë gati 20 për qind të eksporteve të viçit në nivel global.

Brazili është edhe prodhuesi më i madh i sojës. Sipas hulumtimeve të fundit, afërsisht 20 për qind e eksporteve të sojës dhe të paktën 17 për qind e eksportit të viçit nga Amazona dhe Cerrado në Bashkimin Evropian mund të jenë “të kontaminuara me shpyllëzimin ilegal”.

Atlasi Global i Pyjeve në Universitetin e Yale-it, ka nxjerrë se përafërsisht 450 mijë kilometra katrorë e Amazonës së shpyllëzuar në Brazil janë kthyer në kullota bagëtish. Fermat e bagëtisë dhe kultivimi i sojës shpesh janë të ndërlidhura pasi soja rritet në kullotat e vjetra të bagëtive, duke i shtyrë fermerët më larg në Amazon.

Madje atlasi sugjeron që blegtoria tanimë është përgjegjëse për 80 për qind të shpyllëzimit në të gjithë vendet e Amazonës.

“BBC” tregon se tre kompani të përpunimit të mishit – JBS, Marfrig dhe Minerva – përbënin 71.7 për qind të eksporteve të viçit brazilian nga 2015-a në 2017-n. Gjatë asaj periudhe, të tre kompanitë ishin të lidhura me 756 kilometra katrorë të rrezikut të shpyllëzimit në Amazon dhe 147.7 kilometra katrorë në të gjithë Brazilin në tërësi.

Të paktën kështu ka dalë në konkluzione një studim, të cilin të tre kompanitë kanë sqaruar se lidhja që ai ka bërë mes aktiviteteve të tyre dhe shpyllëzimit ishte një korrelacion dhe jo shkakësi dhe se të gjitha kishin sisteme monitorimi për të parandaluar shpyllëzimin në zinxhirët e tyre të furnizimit të drejtpërdrejtë.

Marfrig ka zbuluar se ka nisur testimin e një platforme të re të gjurmimit të bazuar te Conecta, si pjesë e një grupi masash që po zbaton për të përmirësuar monitorimin e zinxhirit të saj indirekt të furnizimit (furnizuesit e furnizuesve).

Së bashku me Minerva-n, kompanitë kanë treguar se kanë filluar të përdorin Visipec-un, një software që sintetizon informacionin nga grupet e veçanta të të dhënave të disponueshme për publikun për të nxjerrë në pah rrezikun e shpyllëzimit midis furnizuesve indirekt.

Ndërkohë, JBS ka sqaruar se sistemi i saj i monitorimit të rrezikut të shpyllëzimit konsiderohet si një nga më të mirët dhe më të sofistikuarit në botë dhe kompania ka zbatuar një politikë të rreptë të prokurimit përgjegjës për blerjen e lëndëve të para që nga viti 2009.

Një hetim i gushtit të kaluar për JBS-në nga qendra amerikane e shpyllëzimit me bazë në SHBA, Chain Reaction Research (CRR), zbuloi se midis viteve 2008 dhe 2019, 983 ferma të blera nga JBS kishin shkaktuar shpyllëzim prej 203 kilometrash katrorë dhe 1 mijë e 874 furnizues të tërthortë. një shpyllëzim tjetër prej 508.5 kilometrash katrorë.

Një zëdhënës i JBS-së ka thënë se kompania monitoron 60 mijë furnizues çdo ditë duke përdorur imazhe satelitore dhe pezullon ata që i konsideron të paqëndrueshëm nga zinxhiri i saj i furnizimit.

Fermat që CRR hetoi ishin një mostër e vogël e zinxhirit të plotë të furnizimit të kompanisë. Mbikëqyrësi ka shtuar se gjurma e përgjithshme e shpyllëzimit të furnizuesve të lidhur me të gjatë asaj periudhe mund të jetë dy mijë kilometra katrorë për furnizuesit e saj të drejtpërdrejtë dhe 15 mijë kilometra katrore për ato indirekte.

Megjithatë, vetë kompania i ka kundërshtuar shifrat, duke këmbëngulur se raporti i CRR-së nuk ka marrë parasysh masat e kompanisë për zbutjen e rrezikut. Një zëdhënës ka dalluar se JBS-ja merr një “qasje me tolerancë zero ndaj shpyllëzimit në zinxhirin e saj të furnizimit” dhe investon në edukimin, monitorimin dhe zbatimin e furnizuesve për të përmirësuar standardet e industrisë.

Sipas “BBC”, raporti CRR-së ka vënë në dukje se zinxhiri i furnizimit indirekt, bie jashtë fushës së politikës së shpyllëzimit zero të kompanisë.

Për adresimin e rrezikut të shpyllëzimit midis furnizuesve indirekte, një zëdhënës i JBS-së ka thënë se “për shkak të sfidave në disponueshmërinë e informacionit, ne nuk kemi shikueshmëri të furnizuesve të furnitorëve tanë. Ne po e trajtojmë këtë çështje me platformën e re të kompanisë, e cila do të shtrihet aftësinë për të analizuar furnizuesit e furnizuesve dhe do të na mundësojë të përjashtojmë të gjithë shpyllëzimet në zinxhirin tonë të furnizimit me viçi deri në vitin 2025”.

Forca për ndryshim

Analiza e mbikëqyrësit tregon se JBS-ja mbështetet te kompanitë evropiane për gati një të tretën e financimit të aktiviteteve të saj. Dhe menaxherët e aseteve zotërojnë aksione aty. Përmes pronësisë dhe dhënies së kredisë, kjo i vë kompanitë financiare në një pozitë të fuqishme për të frymëzuar ndryshimin.

Pra, ka shenja që kompanitë financiare po zgjohen me rrezikun e shpyllëzimit.

Në shtator të vitit 2019, 251 investitorë që përfaqësonin afërsisht 17.7 trilionë dollarë asete nënshkruan një letër ku u kërkohej kompanive “të dyfishojnë përpjekjet e tyre dhe të demonstrojnë përkushtim të qartë për eliminimin e shpyllëzimit brenda operacioneve të tyre dhe zinxhirëve të furnizimit”.

Por në një dokument informues të tetorit 2020, qendra Global Canopy zbuloi se vetëm 33 nënshkrues kishin politika të qarta shpyllëzimi. Dymbëdhjetë prej tyre kishin politika në fuqi vetëm për mallra të caktuara me rrezik pyjor dhe jo të tjerë.

Global Canopy ka argumentuar se politikat e shpyllëzimit janë të rëndësishme sepse ato tregojnë se investitori është i përkushtuar për të ndërmarrë veprime për shpyllëzimin, inkurajojnë një qasje sistematike për të trajtuar çështjen në të gjithë portofolin e tyre dhe gjithashtu sigurojnë qartësi në pritjet e tyre nga kompanitë.

“BBC” sugjeron se për të kuptuar se sa nga investimet përfshijnë rrezik shpyllëzimi, investitorët mund të përdorin një mjet si Trase Finance. Një partneritet midis Institutit të Mjedisit të Stokholm-it, Global Canopy dhe Neura Alpha. Ai përmban të dhëna lehtësisht të kërkueshme për investimet e borxhit dhe kapitalit të rreth 12 mijë institucioneve financiare në kompanitë që eksportojnë vaj palme nga Indonezia dhe sojë e viça nga Brazili.

Green Century Funds, një firmë investimesh e ndërgjegjshme për mjedisin me bazë në Boston, po merret me shpyllëzimin që nga viti 2012. Kompania ka arritur të bindë me sukses kompanitë në të gjithë zinxhirin e furnizimit me vaj palme për të miratuar shpyllëzimin zero.

Nga analiza e CRR-së, rafineritë e përgjegjshme të vajit të palmës në Azinë Juglindore ishin 83 për qind deri në prill të vitit 2020. Ndërsa aktorët mashtrues vazhdojnë të presin pyjet, normat e përgjithshme të shpyllëzimit janë ngadalësuar. Sipas Institutit të Burimeve Botërore, shpyllëzimi në pyjet e vjetra të Indonezisë ishte 40 për qind më pak në 2018-n në krahasim me mesataren e viteve 2002 deri në 2016-n.

“Qasja jonë ideale është për të qenë në gjendje të adresojmë shqetësimet tona me kompanitë përmes dialogut”, ka thënë avokati i aksionarëve të Green-it, Jessye Waxman.

“Pra, ne do të dërgojmë një letër për të folur me ta duke përshkruar shqetësimet tona. Dhe qëllimi gjithmonë është që të çojë në një dialog produktiv ku ne mund të zhvillojmë një marrëdhënie me kompaninë për të vazhduar të shprehim shqetësimet ose për praktikat e kompanisë dhe ndikimet e zinxhirit të furnizimit ose nevoja për zbulim më të mirë në mënyrë që të kemi një kuptim se si kompania po performon kundër këtyre llojeve të metrikave”, ka vijuar ai.

Në vitin 2019, Green Century arriti të bindë kompaninë e shërbimeve ushqimore, Aramark, të miratojë një politikë shpyllëzimi. Dhe kompania u angazhua për të çrrënjosur shpyllëzimin në zinxhirët e saj të furnizimit deri në vitin 2025.

Erin Noss, drejtoresha e lartë e Aramark-ut për komunikimet e jashtme, ka thënë se “deri në shtator 2020, 100 për qind e sojës në vajrat e kontraktuar të kompanisë ishte nga rajone pa shpyllëzim. Çdo vaj palme në ato produkte ishte gjithashtu me burim përgjegjës. Ne gjithashtu përcaktuam se të paktën 80 për qind e viçit të kontraktuar të Aramark-ut vinte nga rajone pa rrezik shpyllëzimi”.

“Ne po kërkojmë që kompanitë të kuptojnë zinxhirët e tyre të furnizimit, që do të thotë se ata duhet të kenë zinxhirë furnizimi të gjurmueshëm për furnizuesit e tyre të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë. Ata duhet të kuptojnë se nga kush vjen dhe nëse ata furnizues po e prodhojnë apo jo mallin në përputhje me politikën e asaj kompanie”, ka thënë Waxman.

E nëse nuk do të ketë përparim përmes dialogut, një opsion tjetër është paraqitja e një rezolute të aksionarëve.

“Rezolutat nuk janë detyruese, por ato janë një mjet vërtet i rëndësishëm për të ndihmuar aksionerët të komunikojnë me menaxhmentin e kompanisë”, ka treguar Waxman.

Në tetor të vitit 2020, 67 për qind e aksionarëve votuan në favor të rezolutës së Green-it që i drejtonte thirrje Procter & Gamble “për të eliminuar shpyllëzimin dhe degradimin e pyjeve në zinxhirin e tij të furnizimit” në takimin vjetor të gjigantit të mallrave të konsumit.

“BBC” tregon se ndër aksionarët që votuan pro ishte BlackRock, duke e bërë këtë herën e parë që menaxheri i aseteve kishte mbështetur një zgjidhje shpyllëzimi. Në përgjithësi, nga korriku 2020 deri në qershor 2021, BlackRock mbështeti 46 propozime të aksionarëve mjedisorë në lidhje me një sërë kompanish të ndryshme dhe votoi kundër 26 prej tyre.

Mirëpo, kjo është vetëm një nga mënyrat.

Hulumtimet nga Amazon Watch, Profundo dhe Friends of the Earth kanë treguar se në vitin 2018, 94 për qind e investimeve të rrezikut të shpyllëzimit të BlackRock-ut ishin në fondet e indeksit, një lloj fondi i tregtuar me këmbim (ETF), i cili ndjek performancën e një indeksi të tregut të aksioneve.

Që nga korriku i 2020-s, investimet ETF u vlerësuan në mënyrë kumulative në 6.7 trilionë dollarë.

Rreth shtatë institucione së bashku kontrollojnë rreth 70 për qind të tregjeve të ETF-së dhe indekseve. Kjo do të thotë se ata shtatë lojtarë kanë fuqi joproporcionale për të zbutur rrezikun e shpyllëzimit.

Pra, si mund ta përdorin institucionet e mëdha financiare këtë fuqi për të shpëtuar pyjet?

Gazeta Planet Tracker ka rekomanduar se ata “duhet të synojnë një reduktim të shpejtë të kompanive të lidhura me shpyllëzimin nga ofertat e tyre universale të produktit”. Kjo duke lëshuar ETF-të e tyre që përjashtojnë aksionet e lidhura me shpyllëzimin, duke ushtruar presion mbi ofruesit e indeksit për të hartuar indekse që bëjnë të njëjtën gjë. Dhe nëse ofruesit e indeksit nuk janë të gatshëm të ridizajnojnë indekset, Planet Tracker ka sugjeruar që kompanitë të krijojnë të tyret.

Jones Indices, zëdhënëse e S&P Dow, ka thënë se ata ofrojnë një shumëllojshmëri të indekseve që përjashtojnë kompanitë që nuk përmbushin objektivat mjedisore dhe qëndrueshmërinë.

Kurse një zëdhënës i Vanguard ka thënë se ata angazhohen rregullisht me kompanitë përkatëse për shpyllëzimin dhe rreziqet e tij për qëndrueshmërinë afatgjatë të biznesit. BlackRock, ndërkohë, ka nisur versione alternative të indekseve kryesore që synojnë të jenë më të qëndrueshëm, duke përfshirë tre fonde me S&P dhe po punon me FTSE Russell dhe Markit për të krijuar alternativa të qëndrueshme. St

“BBC” dallon se kërcënimi i heqjes nga një indeks mund të sigurojë nxitje për kompanitë që të fillojnë të ndërmarrin veprime domethënëse për shpyllëzimin. Kështu mund të ndodhë kërcënimi i investimit nga investitorët individualë. Dhe firmat skandinave po e udhëheqin rrugën.

Nordea Asset Management hoqi aksionet e saj prej 45 milion dollarë në JBS për shkak të shqetësimeve për shpyllëzimin në vitin 2020. Danske Bank ka përjashtuar Cargill, Bunge dhe ADM, tre tregtarë të mëdhenj të mallrave, nga dy fondet e saj të investimit për shkak të rrezikut të shpyllëzimit.

Hulumtimi nga Forests and Finance ka zbuluar se politikat e 50 bankave dhe investitorëve më të mëdhenj në botë janë ende shumë larg politikave të tyre kundër shpyllëzimit.

“Blackrock, menaxheri më i madh i aseteve në botë, siguron një sasi të madhe kapitali për kompanitë që po nxisin shpyllëzimin dhe minojnë të drejtat autoktone, në vlerë prej dy miliardë dollarësh”, ka thënë Moira Birss, drejtore e klimës dhe financave te Amazon Watch, “kjo është një rritje prej 157 për qind në krahasim me prillin e 202o-s”.

Kur bëhet fjalë për kapitalin dhe borxhin, investitorët duhet të ofrojnë “standarde të qarta, afate të qarta kohore dhe pasoja të qarta” për kompanitë e investuara, ka përmbyllur Birss. “Kur kompanitë po demonstrojnë se janë të papajtueshme…duhet të ketë një gatishmëri dhe një veprim për të ndaluar financimin”.

Një zëdhënës i BlackRock-ut ka treguar se “ekipi ynë i administrimit të investimeve është angazhuar prej kohësh me kompanitë mbi rreziqet e qëndrueshmërisë, përfshirë rrezikun e shpyllëzimit, sepse ne i konsiderojmë pyjet e paqëndrueshme dhe përdorimin e tokës për të paraqitur rreziqe për kompanitë që ndikojnë në aftësinë e tyre për të gjeneruar vlerë afatgjatë të aksionarëve”.

Fuqia financiare e zjarrit

“BBC” ngre pyetjen se si mund të luajnë rolin e tyre investitorët individualë.

“Zgjidhni se ku do të investoni paratë tuaja”, ka thënë Jessye Waxman e Green Century.

“Investitorët mund të zgjedhin firma që ofrojnë fonde pa shpyllëzim ose që e kanë bërë prioritet të shtyjnë kompanitë me ekspozim ndaj shpyllëzimit të ndryshojnë praktikat e tyre të ndihmës. Ka mjete, të tilla si Fondet Pa Shpyllëzim që ndihmojnë investitorët të identifikojnë se cilat fonde i plotësojnë ato kritere”, ka shtuar ajo.

Gjithashtu ka sugjeruar që ata të angazhohen me ata që mbikëqyrin investimet.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore