Lajme

MPJD për Albanian Post: 8 kosovarë janë larguar nga Izraeli, po presin edhe 7 të tjerë


Përmes një përgjigje me shkrim nga Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës për Albanian Post thanë se tetë kosovarë janë larguar nga Izraeli, derisa në pritje janë edhe shtatë të tjerë.

“Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, njofton mediet dhe opinionin publik, se si rezultat i sulmit terrorist ndaj shtetit të Izraelit që ndodhi të shtunën, më 7 tetor, 2023 në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Jerusalem deri më tash kanë kërkuar ndihmë tetë shtetas të Republikës së Kosovës”, thuhet në përgjigje.

Sipas MPJD-së, të gjithë shtetasit e Republikës së Kosovës, që kërkuan ndihmë tashmë janë larguar nga territori i shtetit të Izraelit.

“Ndërkohë, në Ambasadën e Republikës së Kosovës janë lajmëruar edhe shtatë shtetas të tjerë me të cilët Ambasada është në komunikim të vazhdueshëm për t’i ofruar zgjidhje. Të lajmëruarit janë të sigurt dhe në gjendje të mirë shëndetësore”.

Sipas kësaj ministrie, nga informacionet e deritanishme nuk raportohet se ndonjë shtetas i Kosovës është vrarë apo plagosur gjatë përleshjeve që po vazhdojnë mes forcave izraelite dhe militantëve palestinezë të Hamasit.

Të paktën 800 persona kanë mbetur të vrarë në Izrael, me 2 mijë e 243 të plagosur, thotë Ministria e Shëndetësisë.

Luftimet midis forcave izraelite dhe terroristëve të Hamasit po vazhdojnë në shtatë deri në tetë lokacione rreth Rripit të Gazës brenda Izraelit, thotë tani IDF-ja.

“Ne jemi ende duke luftuar. Ka nga shtatë deri në tetë vende të hapura rreth Gazës (ku) ne kemi ende luftëtarë që luftojnë terroristët”, u tha gazetarëve zëdhënësi ushtarak Richard Hecht.

“Ne menduam se deri dje do të kishim kontroll të plotë”, thotë ai. “Shpresoj se do ta bëjmë deri në fund të ditës”.

Ministria e shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi në Rripin e Gazës thotë se 560 palestinezë janë vrarë dhe 2 mijë e 900 janë plagosur.

Militantët e Hamasit hynë në territorin izraelit mëngjesin e 7 tetorit, pas një shiu të vërtetë raketash hedhur mbi shtetin hebre – rreth 7 mijë siç pretendohet nga drejtuesit e grupimit terrorist.

Pamjet bënë menjëherë xhiron e rrjetit dhe u vu re se ishte një mësymje e plotë në rajonet jugore.

Video të personave të vrarë qarkullonin kudo në platformat online.

Grupimi terrorist Hamas mori menjëherë përgjegjësinë e plotë mbi zhvillimet. Operacioni i tyre ishte i qartë: rimarrja e kontrollit në Xhaminë Al-Aqsa dhe operacioni u quajt “Al-Aqsa Flood”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore