Lajme

“MPB-ja dërgoi një matrapaz me revole”, “Kurrë s’besoj që ka pasur prokuror me revole” – akuza mes Abazit dhe Haxhiut


Haki Abazi dhe Albulena Haxhiu.

Deputeti i pavarur, Haki Abazi, në seancën e Kuvendit të Kosovës, ka fajësuar ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu për dështim të drejtësisë, duke thënë se kur kishte dëshmuar në Prokurori, Ministria e Punëve të Brendshme, e kishte dërguar një polic të cilin Abazi ai e ka quajtur “matrapaz”.

Sipas Abazit, ai pozitën e deputetit e kishte fituar për të sjellur drejtësi.

“ A e dini përse prokurori ka qenë shumë i kujdesur në intervistimin tim, sepse ministria e Punëve të Brendshme e ka dërguar një matrapaz aty, i cili ka treguar revoltën me kërcënim, kjo është prej ku e ka informacionin ministrja e cila nuk duhet ta ketë atë informacion të diskutimit të brendshëm në Prokurori”.

“Për këtë arsye jam i frystruar se janë tri vite premtim drejtësi s’ka. Ku e dinë ministrja e Drejtësisë se çka kam thënë unë në prokurori dhe çka kam depozituar në Prokurori. Gënjeshtër, e ka pyetur matrapazin aty, njerëz që vijnë me revole në intervistim të Prokurorisë, për t’i kërcënuar njerëzit që vijnë”, ka thënë Abazi.

Haxhiu, i ka sqaruar atij se policët me revole i ka parë edhe ajo kur ka qenë në intervistim për rastin e Astrit Deharit.

“Në rast se e ke për Policë, ata me revole i kam parë edhe unë. Policët, të cilët më kanë intervistuar revolen e kanë pasur në brezë dhe kjo është sipas rregulloreve dhe unë se kam parë si kërcënim”.

Por, që sipas saj, Abazi hallin e ka dikund tjetër.

“Nëse ju tentoni të viktimizoheni ajo është diçka tjetër. Unë e di ku po të dhemb ty, ti dëshiron të mbesësh gjallë në skenën politike”.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ishte ftuar në Prokurorinë Speciale, më 9 nëntor, për t’u intervistuar lidhur me provat të cilat pretendonte që ishin dorëzuar, e për të cilat sipas saj nuk kishte vullnet për t’u trajtuar më tutje nga institucionet e Drejtësisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore