Lajme

Mossad konfirmon pengimin e komplotit iranian për të vrarë izraelitë në Qipro


Agjencia izraelite e inteligjencës Mossad konfirmoi të dielën në mbrëmje raportet e mediave qipriote që pretendonin se një komplot iranian për të vrarë shtetasit izraelitë në Limasol, është penguar.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia izraelite “Ynet News”.

“Izraeli duartroket pengimin e sulmit terrorist iranian në tokën qipriote kundër objektivave izraelite”, deklaroi Zyra e Kryeministrit, për të cilën përgjigjet agjencia e inteligjencës. “Shteti i Izraelit përdor një gamë të gjerë metodash kudo për të mbrojtur hebrenjtë dhe izraelitët dhe do të vazhdojë të veprojë për të minuar terrorizmin iranian kudo që ngre kokën, duke përfshirë në tokën iraniane, sponsorin kryesor të terrorizmit në botë”.

Komploti u pengua falë bashkëpunimit të ngushtë midis shërbimeve të inteligjencës së Qipros dhe Mossad-it.

Sipas raporteve të medias qipriote, shërbimet lokale të inteligjencës u informuan për sulmin e planifikuar nëpërmjet “homologëve të huaj”, duke përfshirë Shtetet e Bashkuara.

Një zyrtar qipriot deklaroi se Qiproja dërgon një mesazh të qartë të tolerancës zero për akte të tilla terroriste dhe thekson se pjesa greke e ishullit nuk duhet të perceptohet si një “lidhje e dobët” për t’u shfrytëzuar.

Sipas zyrtarit, planifikimi i sulmit u bë i mundur për shkak të boshllëqeve në kufi të krijuar nga pjesa veriore e ishullit të pushtuar nga Turqia.

“Vendi nuk do të përfshihet në konfliktet rajonale”, tha zyrtari, duke vënë në dukje se pavarësisht shprehjes së pakënaqësisë me veprimet e Iranit, Nikosia synon të mbajë të hapura të gjitha kanalet e komunikimit dhe mirëkuptimit me Teheranin.

Shërbimet e inteligjencës qipriote dhe Mossad monitoruan nga afër për muaj të tërë lëvizjet e celulës terroriste, të përbërë nga operativë të inteligjencës të Korpusit të Gardës Revolucionare iraniane, e cila mbërriti me fluturim nga Rusia në anën turke të ishullit.

Nga atje, ata dërguan operativë në Qipron Greke, ku thuhet se vëzhguan objektivat izraelitë në Limasol, duke përfshirë Shtëpinë Chabad, biznesmenë dhe turistët izraelitë.

Shërbimet e inteligjencës së vendit ishullor ndoqën të dyshuarin kryesor, i cili përfundimisht arriti të largohej nga vendi dhe kundër tij u lëshua një urdhër arresti ndërkombëtar.

Shërbimet lokale të sigurisë gjetën një strehë sekrete që i përkiste qelisë dhe gjetën pajisje që mund të ishin përdorur në ekzekutimin e sulmit.

Celula ishte e lidhur me një grup të mëparshëm operativësh pakistanezë aktivë në Greqi, të cilët kishin planifikuar një sulm në një shtëpi Chabad në Athinë.

Modus operandi (një mënyrë ose metodë e veçantë për të bërë diçka) iranian pasqyronte këtë model: Teherani punëson mercenarë të huaj për të siguruar një mohim të besueshëm në rast kapjeje, duke u mundësuar atyre të mohojnë çdo përfshirje në ngjarje.

Ky është incidenti i dytë që lidhet me aktivitetet e vazhdueshme të Gardës Revolucionare në Qipro brenda dy viteve.

Në një rast të mëparshëm, një mbajtës i pasaportës ruse, i cili ishte gjithashtu një operativ i Gardës Revolucionare iraniane, u arrestua në vend.

Ai kishte planifikuar një sulm terrorist ndaj caqeve izraelite, duke përfshirë vrasjen e biznesmenëve izraelitë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore