Lajme

Mosekzekutimi i pagave, protestojnë punëtorët shëndetësorë para QKMF-së në Prishtinë


Nga protesta e punëtorëve shëndetësorë të QKMF-së

Të premten e 2 shtatorit punëtorët shëndetësor të Qendrës Kryesore të Mjeksisë Familjare, kanë protestuar për të shprehur indinjatën e tyre për mosekzekutimin e pagave për muajin gusht.

Kryetari i Shoqatës Sindikale, Sherif Makolli, ka bërë të ditur se protesta në fjalë ka karakter simbolik dhe do të zgjasë 15 minuta dhe se shërbimet për pacient nuk do të pezullohen në asnjë mënyrë.

Sipas tij, arsyeja e vetme e kësaj proteste – është mosekzekutimi i pagave.

“Jemi munduar të gjejmë arsyen pse nuk janë ekzekutuar pagat, nuk kemi mundur të pranojmë përgjigje të sakt, Ministria e Financave e hedh topin te Komuna, komuna e hedh topin te ministria, na thjesht kemi mbetur pa paga, punëtorët ju e dini në çfarë gjendje janë, revolta është e jashtëzakonshme”, ka thënë Makolli.

Mosekzekutimi i pagave, sipas Makollit, është një pa përgjegjësi e madhe.

“Thjesht janë duke luajtur me dinjitetin e punëtorëve shëndetësor, ju e dini se në çfarë gjendje kemi punuar gjatë kohës së pandemisë, kurse sot luajnë me dinjitetin e punëtorit, është e pa tolerueshme”, ka shtuar ai.

Në anën tjetër Leonora Shala punonjëse në QKMF bëri të ditur se mosekzekutimi i pagave i ka dëmtuar shumë ata.

“Ne nuk jemi pjesë e grevës së përgjithshme e shpallur nga BSPK-ja, kemi punuar dhe përsëri nuk na janë lëshuar pagat, është e padrejtë”, ka thënë ajo.

Çka ndodhi?

Ministri i Financave, Hekuran Murati në një paraqitje publike, kumtoi lajmin se dikasteri të cilën ai drejton nuk ka bërë në tërësi ekzekutimin e pagave në sektorin publik, me pretekstin se nuk ka arritur të përditësojë listat e pagave, pasi disa nga shërbyesit civil janë në grevë dhe nuk paraqiten në punë.

Pra pagat, sipas Muratit, janë procesuar vetëm atyre organizatave buxhetore që kanë arritur të kompletojnë me kohë listat e pagave të përditësuar.

“Siç e dini greva e deklaruar nga SBASHK-u dhe BSPK-ja në fund të muajit gusht, ka krijuar nevojën që të riprocesohen llogaritjet për ato organizata buxhetore që ndikohen nga grevat, për këtë arsye kemi kërkuar përditësimin e listave të grevistëve ashtu që të respektohet neni 18.1 të ligjit për grevat”, ka thënë ai në një konferencë për media.

“Mirëpo meqenëse përditësimi i listave të pagave nuk ka arritur të ndodh me kohë nga këto organizata buxhetore, ka qenë e pamundur që të procesohen edhe me pagat e tyre në ditën e sotme”, ka shtuar ai.

Ai ka shtuar se pagat do të dalin vetëm për ditët që konsiderohet që të punësuarit s’kanë qenë në grevë.

“Paga do të duhej të ishte rreth 90 euro më pak për secilin pjesëmarrës në grevë sepse llogaritet se ka punuar për 24 ditë të muajit gusht”, ka shtuar ai.

Murati ka mohuar se dikasteri të cilën ai e drejton ka kërkuar nga komunat listën e grevistëve.

“Sa i përket listave të grevistëve, ne kemi kërkuar që të na paraqitet lista e atyre që janë duke punuar, pra kush është në vendin e punës duhet të lajmërohen. Nuk është kërkuar listë e grevistëve sepse ne tashmë e kemi. Janë mbi 25 mijë persona që janë me SBAShK-un”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com

Lajmet kryesore