Teknologji

Morrison nuk dorëzohet


Scott Morrison, kryeministri i Australisë, ka deklaruar se nuk do të ndalet me ligjin që detyron Facebook-un të paguajë mediat vendase për lajmet duke thënë se ka mbështetjen e udhëheqësve botërorë për këtë lëvizje.

Agjensia e lajmeve, Reuters, shkruan se deklaratat e kryeministrit australian vijnë pas vendimit të Facebook-ut për të hequr faqet e lajmeve të mediave vendase dhe të huaja për Australinë. Pjesë e bllokimit ishte edhe pamundësia e vet përdoruesve të platformës për të shpërndarë përmbajtjet mediatike të lajmeve.

Facebook-u i ka ndërmarrë këto veprime në pajtim me idenë se miratimi i projektligjit australian është në kundërshtim me logjikën e funksionimit të internetit.

Reuters shton gjithashtu, se pjesë e masave të platformës kanë qenë edhe fshirja e disa llogarive shtetërore, departamentit të urgjencës dhe faqet e griupimeve , masa të cilat shkaktuan një zemërim të gjerë te popullata.

Morrison nuk ka hezituar të tregojë edhe emra konkret të vendeve prej të cilave ka fituar mbështetje për vendimin që ka ndërmarrë Australia për të detyruar kompanitë teknologjike të arrijnë një marrëveshje tregtare me mediat për përmbajtjet e lajmeve, ku përfshihet Britania e Madhe, Kanadaja, Franca dhe India.

“Ka shumë interes botëror për atë që po bën Australia. Kjo është arsyeja pse ftoj Facebook-un të angazhohet në mënyrë konstruktive sepse ata e dinë që ajo që ndodhi këtu ka të ngjarë të ndiqet nga shumë juridiksione të tjera perëndimore”, ka thënë Morrison për gazetarët në Sydney.

Lëvizja e parë ka ardhur nga ministri kanadez i trashëgimisë, Steven Guilbeault, i cili ka deklaruar se edhe vendi i tij do të miratojë qasjen e Australisë ndërkohë që përgatit ndryshimet në legjislacion për muajt në vazhdim.

Tanimë, ligji australian i cili detyron Google-in dhe Facebook-un të paguajnë organizatat mediatike për përmbajtjet e lajmeve, pritet të miratohet nga Senati brenda javës së ardhshme.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore