Teknologji

Morrison, largimi ‘arrogant’ i Facebook-ut


Scott Morrison, kryeministri i Australisë, ka deklaruar se qeveria e tij nuk do të frikësohet nga lëvizja “arrogante” e platformës Facebook për bllokimin e burimeve të lajmeve për përdoruesit.

Agjensia e lajmeve, BBC, shkruan se Morrison e ka konsideruar lëvizjen jomiqësore ndaj Australisë si arrogante dhe zhgënjyese.

“Veprimet e Facebook-ut duke ndërprerë shërbimet thelbësore të informacionit mbi shëndetin dhe shërbimet e urgjencës, ishin sa arrogante aq edhe zhgënjyese”, është shprehur Morrison duke shtuar se kompanitë e mëdha të teknologjisë mund të ndryshojnë botën, por jo ta drejtojnë atë.

Ky deklarim i kryeministrit australian vjen pas zgjedhjes së platformës Facebook, e cila i ktheu të gjitha faqet e saj lokale dhe globale të lajmeve të padisponueshme në Australi.

BBC sqaron se tërheqja e faqeve me përmbajtje lajmesh nga Facebook-u ishte një përgjigje e platformës ndaj ligjit të propozuar në Australi, i cili detyron kompanitë teknologjike të paguajnë për përmbajtjen e lajmeve në platformat e tyre.

Në betejën e Facebook-ut kundër ligjit ka qenë i pranishëm edhe Google-i. Sipas të dy platformave, ligji australian për pagesat kundrejt përmbajtjes së lajmeve nuk pasqyron mënyrën e funksionimit të internetit dhe penalizon në mënyrë të padrejtë platformat.

Mirëpo, ndryshe nga Facebook-u, Google-i pranoi të realizonte një marrëveshje pagese me tre nga mediat kryesore australiane.

Sipas BBC, tërheqja e Facebook-ut erdhi disa orë më vonë nga pranimi i Google-it për të paguar News Corp të Ripert Murdoch, lidhur me përmbajtjen e faqeve të lajmeve.

Nga ana tjetër, shumë australian janë treguar të zemëruar për mungesën e papritur të aksesit në burimet e lajmeve në Facebook.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore