Shqipëria

Mori mandatin e deputetit, Majko zgjidhet anëtar i Komisionit të Jashtëm


Në seancën plenare të 14 prillit, në rendin e ditës të Kuvendit të Shqipërisë ishte votimi i deputetit socialist, Pandeli Majko, si anëtar i Komisionit të Jashtëm.

Ndërsa deputeti Benet Beci do të jetë anëtar i Komisionit për Veprimtaritë prodhuese dhe Etilda Gjonaj anëtare në Komisionin e Jashtëm, duke zëvendësuar kështu Becin.

Sakaq, ndryshimet u votuan nga socialistët në nisje të seancës së Kuvendit.

Kujtojmë që Majko u betua si deputet në seancën plenare të 11 prillit, i cili mori mandatin e deputetit pas arrestimit me urdhër të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) të Alqi Bllakos për çështjen e inceneratorëve.

 4 prill, KQZ-ja i dha zyrtarisht mandatin e deputetit Majkos.

Duke u konsultuar edhe me organet përkatëse, KQZ-ja ka dalë në përfundimin se Majko nuk ka kryer asnjë shkelje penale ose të ketë vendim gjykate të formës së prerë kundër tij.

Në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, Majko mori 8 mijë e 785 vota, por nuk e theu dot herësin prej 10 mijë votash, për të qenë deputet.

Ai ishte i renditur i 19-ti në listë, një më pak se numri i deputetëve që mori PS-ja në Qarkun e Tiranës.

Dorëheqja e Bllakos

Pasditen e 30 marsit, në zyrat e Kuvendit të Shqipërisë mbërriti kërkesa e Bllakos, me anë të së cilës ai hiqte dorë nga mandati i tij, pasi SPAK kërkoi autorizimin për arrestimin e tij për çështjen e inceneratorëve.

Në shkresën zyrtare nga Bllako theksohej se, “me vullnet të plotë dorëzoj mandatin parlamentar si deputet i PS-së, referuar kërkesës së SPAK-ut drejtuar Kuvendit dhe urdhrit të Kryetares për mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetet”.

“Me bindjen e plotë se, në fund të këtij procesi, do të provohet pafajësia, integriteti dhe ndershmëria ime në detyrën e ushtruar”, vijonte shkresa nga Bllako.

Ai e mbyllte i prerë se vihet në dispozicion të plotë të drejtësisë, “duke gjykuar t’u hap rrugën e pakushtëzuar proceseve të organeve të drejtësisë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore