Përballje

Monza me fitore të befasishme kundër Juventus-it, Lazio mposht bindshëm Cremonese-n


Ndeshjet në Serie A ishin interesante dhe befasuese.

Dueli mes Monza-s dhe Juventus-it përfundoi me fitoren e këtyre të parëve me rezultat 1:0.

Kjo është fitorja e parë e Monza-s në këtë sezon në Serie A, pas shtatë ndeshjeve të luajtura.

Ndeshja ishte kryesisht e dominuar nga Monza, pasi Juventus-i ishte me një lojtar më pak nga minuta e 40-të, ku u ndëshkua Angel Di Maria me karton të kuq.

Goli erdhi në pjesën e dytë, ku pas shumë tentimeve për të shënuar, epërsinë ia dha Christian Gytkjaer.

Juventus janë duke kaluar një formë mjaft të dobët, të cilët nuk kanë gjetur fitoren në tre ndeshjet e tyre të fundit.

Skuadra nga Torino radhiten në pozitën e tetë me 10 pikë, ndërsa Monza janë në vendin e 18-të me katër pikë.

Në anën tjetër, Lazio ka fituar bindshëm kundër Cremonese-s me rezultat 0:4.

Goli i parë erdhi në minutën e shtatë, të cilin e shënoi Ciro Immobile.

Për të dyfishuar rezultatin, u përkujdes po i njëjti, i cili shënoi nga penalltia.

Në minutën e parë shtesë të pjesës së parë, Milinkovic-Savic shënoi për 3:0.

Ndërsa për rezultatin përfundimtar prej 0:4, u përkujdes Pedro i cili shënoi në minutën e 79-të.

Ndeshja tjetër e Serie A mes Fiorentinës dhe Veronës përfundoi me fitoren e këtyre të parëve me rezultat 2:0.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore