Lajme

Molliqaj kërkon nga PDK-ja dhe LDK-ja zbulimin e draft-statutit: Abdixhiku dhe Krasniqi janë bërë shërbëtorë të Kurtit


Dardan Molliqaj

Kryetari i Partisë Socialdemokrate (PSD), Dardan Molliqaj, ka kërkuar nga krerët e opozitës kosovare ta zbulojnë përmbajtjen e draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe e të cilin ua ka prezantuar Emisari Special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, gjatë vizitës së tij në Kosovë të martën.

Kreu i PSD-së ka kërkuar nga kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ta tregojnë përmbajtjen e draft-statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, sepse sipas tij, fshehtësia është mënyrë e funksionimitt të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.

“Puna e fshehtë është mënyra e kryeministrit. Pjesë e kësaj loje janë bërë edhe Memli Krasniqi e Lumir Abdixhiku. Ata jo thjesht kanë abstenuar nga çfarëdo kundërshtimi. Po i shërbejnë Kurtit edhe në menaxhimin e opinionit publik. Marrëveshjen e din Kurti, mbase Besnik Bislimi; e kanë parë edhe liderët opozitarë, askush tjetër”, ka thënë ai.

Molliqaj ka konsideruar se procesi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi në kohën e kryeministrit Kurti është “më i mbylluri dhe më i fshehti” ndonjëherë, derisa ka akuzuar kreun e ekzekutivit kosovar për, siç ka thënë ai, dëmet e shkaktuara ndaj shtetit të Kosovës.

“Drafti po fshihet sepse drafti po dihet. Kështu do të thoshte kryeministri në një tjetër kohë dhe nga një tjetër pozicion. Do të kishte të drejtë sepse mungesa e transparencës nuk është thjesht fshehje e informatës. Është përmbajtja problematike e lajmit, arsyeja e fshehjes”, ka shkruar Molliqaj.

Në përgjithësi, procesi i dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi është karakterizuar prej një mungese radikale të transparencës. Në fakt, ishte bërë e ditur se dialogu po vijon në kushte konfidencialiteti për të krijuar rrethanat që do t’u mundësonin palëve të angazhohen më hapur me njëra-tjetrën, porse këtë praktikë e ka kritikuar tejmase opozita kosovare.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore