Shqipëria

Moçali i  politikës shqiptare, s’pastrohet vetë


Ditën e shtunë 11 shkurt pati një protestë të organizuar nga opozita në Shqipëri, protestë e cila mendohet që do të vazhdojë edhe ditën e hënë në mbrëmje përballë Parlamentit. Kërkesa ishte largimi i Kryeministrit shqiptar, Edi Rama, nga pushteti.

Gjatë demostratës u renditën shumë probleme reale të Shqipërisë: korrupsioni, mafia, pagat e ulëta, fatkeqësia urbane, niveli i ulët arsimor. Probleme të konfirmuara nga fluksi i vazhdueshëm i emigrantëve që po boshatis vendin.

Të gjitha të vërteta!

Megjithatë, problemi është (siç thonë në Itali) nga cila foltore vjen predikimi!

Kjo sepse në atë podium hypi Sali Berisha, një nga politikanët që e ka qeverisur këtë vend për dekada, duke e drejtuar në atë të tatëpjetë që ai sot duket se e përçmon.

Mjafton të kujtojmë skandalin e Piramidave që i privuan shqiptarët nga të gjitha burimet, luftën civile që pasoi duke shkaktuar disa mijëra të vdekur dhe gjithashtu fatkeqësinë e Gërdecit që shkatërroi një fshat të tërë me pasojë 26 viktima, për shkak të trafikut ndërkombëtar të municioneve.

Në krah të tij ishte edhe ish-presidenti Ilir Meta, të cilin një përgjim i dikurshëm e çoi në një proces për korrupsion, por që më pas Gjykata e mbuloi.

Berisha dhe Meta akuzojnë sot Edi Ramën dhe socialistët për të gjitha të këqijat që po godasin vendin: hajdut, mafioz, pastrues të të ardhurave nga trafiku i drogës, etj.

Dhe propozojnë veten dhe koalicionin e djathtë si zgjidhje për të pasur një Shqipëri perëndimore të ndershme, demokratike dhe të sinqertë.

Kreu i Partisë Demokratike hedh sërish në protestë (ndoshta pa e ditur kuptimin e tij) sloganin e Revolucionit Liberal me të cilin italiani Silvio Berlusconi erdhi në pushtet në 1994.

Berlusconi, edhe ai, është gjithashtu themeluesi i një partie personale: Forza Italia e tij ndër vite mbi të gjitha është shqetësuar dhe marrë me zgjidhjen e problemeve afariste dhe gjyqësore të kreut të saj sesa me politikë, njëjtë si Partia Demokratike me ato të Berishës.

Sot Berlusconi është një plak me një ecje të pasigurt, që mërmërit fjali thuajse të pakuptueshme, i prekur afër nga hetime për lidhje me mafia-n dhe me një parti që ka prekur 8 për qindëshin. Ai është në një koalicion të dominuar nga Giorgia Meloni dhe ku pothuajse nuk ka të drejtë të flasë.

Berisha në protestë i nisi edhe një mesazh dashurie SHBA-ve, menjëherë pasi akuzoi të gjithë ambasadorët e Uashingtonit se ishin korruptuar nga Edi Rama për të komplotuar kundër opozitës.

Dhe pikërisht nga SHBA-të, revista “People With Money” e vendos Sali Berishën në vendin e parë në renditjen e 2023-shit të dhjetë politikanëve më të pasur në botë.

Revista amerikane vlerëson pasurinë zyrtare të ish-presidentit në 245 milionë dollarë.

Vështirë të justifikohet një pasuri e këtyre përmasave me rrogat që ka marrë Berisha gjatë karrierës së tij të gjatë politike.

Është e vërtetë, siç u tha edhe në demonstratën e Partisë Demokratike, pagat e shqiptarëve janë ndër më të ulëtat në botë, por kjo vlen edhe për drejtuesit e institucioneve, ku Presidenti i Republikës, pozicioni më i lartë institucional, fiton pak më shumë se 2 mijë euro në muaj.

Ish-kryeministri Berisha, para se të moralizojë Shqipërinë, duhet t’u shpjegojë edhe ndjekësve të tij se nga vijnë ato 245 milionë misterioze.

Ngjashmëritë me mentorin e tij italian, Berlusconi, nuk janë vetëm në përkatësinë në elitën e milionerëve në politikë.

Pjesëmarrja e pakët në demonstratën kundër Ramës, mungesa e mbështetjes ndërkombëtare dhe përshtypja e qartë se çdo gjest i tij është përsëritje e lodhur e gjesteve të bëra deri tashmë, se çdo fjalë është përsëritje e fjalëve të thëna deri tashmë, na bëjnë të mendojmë se Berisha (me Metën) po ndjek të njëjtën rrugë të një perëndimi si Berlusconi.

Në një botë ku opinioni publik tani është i zhgënjyer dhe i pakënaqur me politikën dhe interpretuesit e saj, motivet e vetme që çojnë në votime janë shpresa për një ndryshim ose besimi se alternativa qeveritare e propozuar nga opozita është më e keqe se ajo në pushtet.

Berisha dhe Meta bëjnë një koalicion që plotëson të dyja këto kushte duke forcuar qëndrueshmërinë e Edi Ramës në krye të vendit.

Kështu vendi mbetet i bllokuar në elitat dhe liderët e vjetër. I palëvizshëm si ujë moçali.

Në Shqipëri nuk ka rinovim të klasës politike dhe të rreshtimeve politike siç ndodh në demokracitë perëndimore, sepse këtu partitë nuk përfaqësojnë pjesë të shoqërisë, nuk përfaqësojnë alternativa programore të qeverisjes, por blloqe pushteti të rrënjosura dhe të ndërtuara në domene personale elektorale.

Është një sistem që e mban shoqërinë të mbyllur. Nuk ka transferim të fermentimit shoqëror në politikë, nuk ka as dialektikë kulturore dhe as politike. Vetëm përplasje verbale të dhunshme mes grupeve të pushtetit që nuk diskutojnë si të zgjidhin problemet sociale, por si të qëndrojnë apo të kthehen në pushtet.

Sistemi politik shqiptar është një sistem i mbyllur dhe i papërshkueshëm brenda të cilit vetëm dy subjekte konkurrojnë për pushtet.

Për këtë arsye nuk arrin të marrë kontribute të reja nga jashtë. Dhe për këtë arsye propozohet edhe riciklimi i brendshëm i politikanëve dhe partive.

Është një model vetë-referues që dëshira thërret për ta quajtur regjim. Kushdo që nuk e respekton, ose nuk arrin të mbijetojë, ka vetëm një alternativë, të largohet. Dhe ka shumë prej atyre që e bëjnë.

Dikur, në fushatat elektorale amerikane përdoreshin reklama, në të cilat nën fytyrën e një kandidati lexohej: A do të blije makinë të përdorur nga ky njeri?

Përshtypja është se sot përballë fytyrave të Berishës dhe Metës, shqiptarët që do të përgjigjeshin po, do të ishin gjithnjë e më pak.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore