Lajme

Misteri se pse Kanali i Madh në Venecia u kthye në ngjyrë jeshile fluoreshente është zgjidhur


Transformimi spektakolar i një pjese të Kanalit të Madh në Venecia në ngjyrë jeshile fluoreshente ishte për shkak të fluoresceinës, një substancë jo toksike që përdoret për testimin e rrjeteve të ujërave të zeza.

Në këtë përfundim kanë dalë autoritetet lokale.

Banorët vunë re se një pjesë e Kanalit të Madh u kthye në ngjyrë jeshile të ndezur të dielën, duke bërë që policia të hetonte mes spekulimeve se mund të ishte një marifet nga ambientalistët.

Por analizat treguan “praninë e fluoresceinës në mostrat e marra”, sipas agjencisë rajonale për parandalimin dhe mbrojtjen e mjedisit të Veneto (Arpav).

Rezultatet “nuk kanë treguar praninë e elementeve toksike në mostrat e analizuara”, sipas Arpav, pa specifikuar origjinën e substancës.

Ndryshimi i ngjyrës i vërejtur nga banorët ngriti shqetësime, me policinë që po shqyrtonte nëse zhvillimi mund të ishte një protestë nga aktivistët e ndryshimit të klimës.

Nuk është hera e parë që Kanali i Madh bëhet i gjelbër.

Në vitin 1968, artisti argjentinas Nicolás García Uriburu ngjyrosi në të gjelbër ujërat e Kanalit të Madh me një ngjyrë fluoreshente gjatë Bienales së 34-të të Venecias në një marifet për të promovuar ndërgjegjësimin ekologjik.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore