Lajme

Miratimi i Projektligjit për Skemat Pensionale, Kurti: Padrejtësia e viteve të ’90 mori fund


Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përshëndetur miratimin e Projektligjin për Skemat Pensionale nga deputetët e Kuvendit të Kosovës, i cili parasheh që pensionistëve të përjashtuar nga skema për stazhin pensionale për punën në vitet 90-ta, nga tash e tutje do t’iu numërohen vitet e punës.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Kurti tha se me miratimin e këtij projektligji “padrejtësia ndaj pensionistëve që u larguan dhunshëm nga puna në vitet e ‘90-ta, mori fund sot”.

“Kuvendi i Republikës miratoi në lexim të parë dhe të dytë Ligjin për Plotësimin dhe Ndryshimin e Ligjit për Skemat Pensionale të Financuara nga Shteti përmes së cilës shtohet një skemë e re pensionale, ajo e pensionit parcial kontributpagues”.

Rreth 70 mijë pensionistë, pohoi ai, “të cilët po të mos ishin larguar dhunshëm nga puna në vitet e ‘90-ta do të arrinin kushtin prej 15 vitesh kontribut deri më 01.01.1999”.

“Tani e tutje, ata, do të marrin pensionin parcial kontributpagues”.

Ndërkaq, kreu i ekzekutivit kosovar theksoi se “mbetemi të përkushtuar për krijimin e një sistemi pensional të barabartë për të gjithë dhe ngritje të mirëqenies sociale”.

“Hapi tjetër do të jetë reforma e plotë pensionale së bashku me reformën sociale, për të cilat kemi filluar punën. Shumë shpejt do t’i dërgojmë në Kuvend këto projektligje për të bërë ndryshimet e nevojshme ligjore”.

“Qeveria për pensionistët”, përfundoi ai.

Ndryshe, me 76 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, këtë të enjte deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar Projektligjin për Skemat Pensionale, i cili parasheh që pensionistëve të përjashtuar nga skema për stazhin pensionale për punën në vitet 90-ta, nga tash e tutje do t’iu numërohen vitet e punës.

Përveç deputetëve të shumicës parlamentare, Lëvizjes Vetëvendosje, në votim morën pjesë edhe deputetët e partisë opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ndërsa, dy partitë tjera opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës nuk morën pjesë në votim.

Kuvendi i Kosovës miraton projektligjin për skemat pensionale

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore