Lajme

MINT ndan 1 milion euro për Parkun Industrial në Opterushë


Smajl Latifi dhe Rozeta Hajdari

Ministrja e Industrisë, Rozeta Hajdari, të premten së bashku me kryetarin e Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, kanë nënshkruar marrëveshjen për vazhdimin e financimit të fazës së dytë të ndërtimit dhe funksionalizimit të Parkut Industrial në Opterushë në vlerë prej 1 milion euro.

“Me synim për ndërtimin e një parku efektiv industrial në shërbim për ndërmarrësit tanë të vyeshëm, MINT vazhdon me investimet kapitale në fazën e dytë të ndërtimit të Parkut Industrial në Opterushë të Rahovecit”, thuhet në njoftimin e MINT.

Ky park, sipas MINT, do të ofrojë më shumë hapësirë për bizneset dhe do të jetë në shërbim të tërheqjes së investimeve, krijimit të vendeve të punës, stimulimit të inovacionit dhe avancimit industrial me nxitje e diversifikim të eksporteve dhe integrim në zinxhirin global të vlerës.

“Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), në këtë fazë do të investojë edhe një milion euro për Parkun Industrial në Opterushë me karakteristika miqësore për mjedisin, në sipërfaqe prej 35 hektarësh”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore