Lajme

MINT-i i cilëson “tendencioze” audio-incizimet: Shpifjet në dëm të sigurisë kombëtare do të denoncohen


Rozeta Hajdari

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT), ka reaguar në lidhje me audio-incizimet e publikuara nga “Nacionale”, duke i cilësuar “shpifje dhe tendencioze” raportimet për keqpërdorimin e Rezerës Shtetërore, ndërsa ka paralajmëruar “denoncimin e shpifjeve” për shkak të “dëmtimit ndaj sigurisë kombëtare”.

MINT-i, nëpërmjet një postimi në llogarinë zyrtare në “Facebook”, ka konsideruar se “thashethemet e përdorura” në audio-incizime janë “tendencioze dhe të pavërteta”, ndërsa ka shtuar se janë bërë me qëllim të “denigrimit të figurës” së ministres Rozeta Hajdari, por edhe “uljen e reputacionit dhe imazhit publik të saj”.

Nga ministria kanë deklaruar se të gjitha procedurat në lidhje me furnizimin me mallra për rezervë shtetërore janë zhvilluar dhe po vazhdojnë të trajtohen bazuar në legjislacionin në fuqi, ndërsa kanë shtuar se procesi i furnizimit me mallra po trajtohet dhe monitorohet me standarde dhe parametra të përcaktuara të cilësisë.

Shpjegim në detaje – Çfarë shkelje ligjore i kërkoi të kryente zyrtarit Enver Hajrullahu ministrja Rozeta Hajdari

“Ministria është e përkushtuar të vazhdojë me rritjen e rezervës shtetërore edhe në këtë vit, sipas Ligjit mbi Ndarjet Buxhetore për Buxhetin e Republikёs sё Kosovёs pёr vitin 2023, me qëllim që të sigurojë qytetarët që në rrethana të jashtëzakonshme të kenë përkrahjen shtetërore në tejkalimin e situatave eventuale të krizës”.

Në komunikatë ndër të tjera thuhet se MINT-i kishte shpallur tri herë procedura të prokurimit për të blerë sasi të rezervës shtetërore, ku një procedurë ka përfunduar me sukses, kurse dy kanë dështuar për shkak të mos ofertimit nga operatorët ekonomikë.

Ndryshe, me vendim te Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, ishin ndarë 10 milionë euro për blerjen e rezervave shtetërore. Rezerva shtetërore është e paraparë të përdoret në raste krizash, nëse ndodhë ndonjë fatkeqësi, luftë, tërmet apo mungesa e madhe e produkteve bazë në tregje.

Në vendimin e Qeverisë së Kosovës, procedurat e prokurimit ishin shmangur, duke lejuar blerjen e produkteve vetëm me negocim, por pa iu nënshtruar procedurave të Prokurimit Publik, ashtu siç i nënshtrohen të gjitha blerjet e mallrave, gjë që ka nxituar reagimin e opinionit publik në Kosovë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore