Lajme

Ministrit të Zhvillimit Rajonal i pengon DokuFest-i: Imazhe që nuk janë të përshtatshme për Prizrenin e as Kosovën


Fikrim Damka

Ministri i Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, nëpërmjet një postimi në llogarinë e tij në “Facebook”, ka thënë se imazhet e shfaqura në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtë (DokuFest), nuk janë të përshtatshme për Prizrenin dhe as për Kosovën.

“Prizreni është në qendër të aktiviteteve kulturore në Kosovë. Fatkeqësisht, në ngjarjen DokuFest të organizuar në Prizren, e cila është shtëpi e shumë ngjarjeve kulturore kombëtare dhe ndërkombëtare, kemi qenë dëshmitarë të imazheve që nuk janë të përshtatshme për Prizrenin dhe as Kosovën”, ka shkruar ai.

DokuFest-i do të zgjasë deri më 12 gusht, ndërsa në edicionin e sivjemë do të shfaqen rreth 230 filma në tetë kinema, gjysma e të cilave janë në ambient të hapur, megjithatë për ministrin Damka, realizimi i këtyre ngjarjeve është në kundërshtim me vlerat e historisë, kulturës dhe besimit në Kosovë.

“Ata që e realizojnë këtë ngjarje, e cila është në kundërshtim me vlerat e historisë, kulturës dhe besimit tonë, kanë krijuar rrezik për të dhënë shembull të keq sidomos në zhvillimin personal dhe social të të rinjve tanë”, ka shkruar tutje ministri Damka.

Madje, ai iu ka bërë thirrje Organizatave të Shoqërisë Civile që të reagojnë jo vetëm ndaj këtyre ngjarjeve, por të reagojnë edhe ndaj atyre që kanë realizuar këtë manifestim dhe kanë mbështetur në çfarëdo mënyre realizimin e këtij manifestimi, ndonëse qytetarët e Kosovës e kanë pritur me padurim nisjen e DokuFest-it.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore