Lajme

Ministria e Drejtësisë garanton BE-në se do t’i adresojë rekomandimet e Komisionit të Venecias mbi projekligjin për KPK-në


Albulena Haxhiu

Ministria e Drejtësisë në Kosovë, nëpërmjet një komunikate për shtyp të enjten, pas miratimit në parim të projekligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) në Kuvendin e Kosovës, njoftoi se Komisioni për Legjislacion do t’i adresojë rekomandimet të cilat kanë dalur nga seanca e Komisionit të Venecias më 15 dhjetor 2023 dhe opinioni i publikuar gjatë muajit mars.

“Versioni i ri i këtij projektligji parasheh ndryshime të rëndësishme përmes të cilave synohet, llogaridhënie më e madhe, pavarësi funksionale të KPK-së dhe rezultate për të gjithë sistemin. Po ashtu përmes këtij projektligji janë paraparë ndryshime në përbërjen e KPK-së, në kuptim të arritjes së bilancit të përbërjes me anëtarë prokurorë dhe jo prokurorë”, u tha në njoftim.

Reagimi i Ministrisë së Drejtësisë në “Facebook” të enjten, erdhi pas kërkesës së shefit të zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Prishtinë, Tomáš Szunyog, i cili, nëpërmjet një postimi në platformën “X” të enjten, deklaroi se blloku pret që projektligji për KPK-në të jetë në përputhje të plotë me rekomandimet dhe opinionin e Komisionit të Venecias, para se të miratohet si ligj.

“Pash se Kuvendi i Kosovës miratoi në lexim të parë projektligjin për KPK-në. Ne presim që projektligji të përputhet plotësisht me rekomandimet e Komisionit të Venecias para miratimit të ligjit”, shkroi diplomati çek.

Kuvendi i Kosovës miratoi të enjten në parim projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për KPK-në, i cili synon eliminimin e mangësive ligjore të identifikuara, në mënyrë që KPK-ja t’i ushtroj kompetencat e saj kushtetuese dhe ligjore. Në votim nuk morën pjesë partitë opozitare.

Ndryshe, ekzekutivit në vazhdimësi i është kërkuar që projektligji për KPM-në të ngërthejë brenda vetes gjetjet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, opinionin e Komisionit të Venecias dhe rekomandimet e shoqërisë civile.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore