Lajme

Ministri për të Drejtat e Njeriut në Mal të Zi, Fatmir Xheka për Albanian Post: Inicimi partive pro-ruse për çnjohje të Kosovës u pritë me tallje


Deklarata e Komunës së Zetës në Mal Zi se njohja e pavarësisë së Kosovës nuk do të vlejë në atë territor u pritë me tallje, 15 vjet pasi Podgorica zyrtare e njohu Kosovën si shtet të pavarur gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) të Millo Gjukanoviç-it.

Kështu thotë për Albanian Post ministri për të Drejtat e Njeriut i Malit të Zi, Fatmir Xheka, kur pyetet për iniciativën e partive pro-ruse.

“Kjo nuk mund të ndodhë”, shprehet i bindur ai.

“Nuk mund të ndryshojë asgjë në qëndrimet e Qeverisë së Malit të Zi, vendime të tilla merren në nivel shtetëror dhe sa i përket Malit të Zi paralajmërimi i një vendimit të tillë u prit me tallje”, tha ai.

Deklaratë të tilla sipas Xhekës, bëhen në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të cilat do të mbahen gjatë muajit të ardhshëm.

“Më saktë, gjithçka duhet parë në kuadër të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare të planifikuara për 11 qershor”, tha Xheka.

Sa i përket kritikave që i bën kryeministrit malazez me mandat teknik Dritan Abazoviç lidhur me vendimin që ky shtet të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, Xheka thotë se janë normale.

“Në Mal të Zi shumë njerëz nuk pajtohen me të gjitha vendimet e qeverisë. Duhet ta dini se rreth 30 për qind e qytetarëve të Malit të Zi e ndjejnë veten si serbë. Por qeveria e zotëri Abazoviçit ka një politikë të jashtme konsistente”, shpjegoi Xheka për AP.

Prandaj, ai insiston se pavarësisht të gjitha kritikave, “Qeveria mbetet e vendosur në rrugën e saj”.

Ish-kryetari i Ulqinit i kundërshton zërat që thonë se me zgjedhjen president të Malit të Zi të Jakov Milatoviç-it, ky shtet mund ta çnjoh Kosovën edhe pse edhe vetë Milatoviç e mohoi një gjë të tillë posa u zgjodh president.

“Presidenti Milatoviç nuk është pro-rus. Ai dënoi agresionin kundër Ukrainës, do lidhje edhe më të forta me NATO-n, dënoi gjenocidin në Srebrenicë dhe mbështet njohjen e Republikës së Kosovës. Dhe të gjitha këto ai i bëri në tri ditët e para pasi u zgjodh president i Malit të Zi, ku mundi bindshëm presidentin aktual, Milo Gjukanoviç. Meqë ra fjala, Milatoviç ka studiuar në Oksford”.

Ndryshe, më 8 maj, Komisioni Parlamentar për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Emigrantë në Mal të Zi, pas raportimit të kryeministrit malazez me mandat teknik Dritan Abazoviç, lidhur me vendimin që ky shtet të mbështesë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, ka konstatuar se Abazoviç është dashur të bëjë konsultime.

Sipas komisionit, është dashur të shikohen dimensionet politike të vendimit, si në nivel ndërkombëtar ashtu edhe në atë vendor, “duke pasur parasysh ndjeshmërinë e lartë të qytetarëve për këtë çështje”, tha kryetari i Komisionit Miodrag Lekiç.

“Qeveria nuk ka marrë vendim për këtë, madje një pjesë e Qeverisë është shprehur se një votim i tillë është i papranueshëm. Prandaj, komisioni mendon se një vendim i tillë nuk ka kontribuar në seriozitetin dhe reputacionin e shtetit”.

Por, kryeministri në mandat teknik i Malit të Zi, Dritan Abazoviç, ka mohuar akuzat se vota për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës nuk ishte “votë kundër Serbisë”, por për për të promovuar stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal.

Mali i Zi më 24 prill votoi për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, për çka reaguan ashpër një pjesë e partive pro-serbe në pushtet, duke e gjykuar një politikë të tillë “të turpshme për Beogradin zyrtar”.

Nga 46 shtete sa ka Këshilli i Evropës, 33 votuan për ta dërguar kërkesën e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë tek Asambleja e saj Parlamentare. Për t’u bërë anëtare e plotë duhen, po ashtu, dy të tretat e votave.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore