Lajme

Ministri gjerman “rindez” grindjen për centralet bërthamore


Ministri gjerman i Transportit bëri thirrje për një komitet ekspertësh për të shqyrtuar nëse duhet të zgjatet jetëgjatësia e centraleve bërthamore të vendit.

Kjo deklaratë ka rihapur një grindje brenda koalicionit të kancelarit Olaf Scholz.

Lajmi u bë i ditur nga agjencia “Reuters”.

Nxitimi i Gjermanisë për t’u çliruar nga karburantet e importuara ruse pas pushtimit të Ukrainës nga Moska nxiti thirrjet që tre centralet bërthamore të mbetura të vendit të mbahen të hapura dhe mos të mbyllen në fund të vitit 2022.

Në fund të vitit të kaluar, socialdemokrati Scholz u përpoq të sheshonte një mosmarrëveshje midis të Gjelbërve ambjentalistë, ithtarëve të fortë të një daljeje nga energjia bërthamore dhe Demokratëve të Lirë liberalë, duke urdhëruar që të tre të mbaheshin në punë deri në prill.

Por ministri i Transportit, Volker Wissing rindezi argumentin, duke i thënë “Frankfurter Allgemeine” se përfitimet mjedisore të makinave elektrike do të reduktoheshin nëse ato nuk ngarkoheshin duke përdorur energjinë bërthamore, e cila është pa emetime.

“Ne kemi nevojë për një përgjigje eksperte për pyetjen se si mund të sigurojmë që të kemi furnizime të qëndrueshme dhe të përballueshme me energji duke arritur gjithashtu qëllimet tona për mbrojtjen e klimës”, i tha ai gazetës në një intervistë të botuar të hënën në mbrëmje.

Kritikët e daljes bërthamore thonë se mund ta detyrojë Gjermaninë të mbështetet më shumë se sa ishte planifikuar te qymyri, i cili është më ndotës se gazi, gjatë tranzicionit në energjinë e rinovueshme.

Të Gjelbrit kundërshtojnë me forcë rishikimin e daljes bërthamore të Gjermanisë, e cila u prezantua si përgjigje ndaj katastrofës së vitit 2011 në centralin bërthamor të Fukushima-s të Japonisë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore