Lajme

Miliarderi norvegjez i bashkohet grupit që mbështet Bitcoin-in


Miliarderi i naftës, Kjell Inge Rokke, ka dalë fuqimisht në favor të Bitcoin-it.

Ai vuri bast se kriptovaluta është mbrojtja më e mirë kundër përçarjes me të cilën po përballen industria e financave dhe bankat qendrore.

Kompania Aker ASA, e cila kontrollon kompanitë e shërbimit të naftës dhe naftën në Norvegji dhe ka si pronar Rokke, po krijon një biznes të ri. Seetee AS, ka si qëllim shfrytëzimin e potencialit të Bitcoin. Lajmin e bënë të ditur disa anëtarë të personelit të kompanisë, të hënën.

Rokke, personi i dytë më i pasur në Norvegji shkroi: “Bitcoin mund edhe të shkojë në zero. Por, gjithashtu mund të bëhet thelbi i një arkitekture të re monetare”.

Ai gjithashtu është shprehur se një ditë, vlera e një Bitcoin-i mund të shkojë miliona dollarë.

“Njerëzit që dinë më shumë për Bitcoin besojnë se suksesi i saj në të ardhmen është pothuajse i pashmangshëm”.

Kriptovalutat, në të cilat bën pjesë edhe Bitcoin, janë monedha digjitale. Këto lloj monedhash menaxhohen, ruhen apo shkëmbehen kryesisht përmes internetit.

Bitcoin krijoi shumë polemika si pasojë e luhatjeve gjatë gjithë vitit. Një monedhë e vetme kushtoi më shumë se 57 mijë dollarë në një moment muajin e kaluar, krahasuar me rreth 8 mijë dollarë një vit më parë.

Pavarësisht paqëndrueshmërisë, Bitcoin është përqafuar nga disa prej anëtarëve më me ndikim të industrisë globale. Këtu përfshihen edhe kompanitë private, si Tesla, Uber apo Visa, të cilat ofrojë shërbime me anë të kriptovalutave.

Në fillim, investim i vogël

Tani për tani, investimi i Rokke do të jetë i vogël me vetëm 500 milionë korona (58 milion dollarë) në kapital.

Firma ka në plan të mbajë të gjitha asetet e saj likuide të investueshme në kriptovalutë.

Kompania Seetee do të përqendrohet tek investimi në Bitcoin, krijimin e partneriteteve me lojtarët kryesorë të kriptomonedhës dhe investimin në projekte e kompani të inovacionit.

Kompania industriale norvegjeze, ka qenë aktive në investime tek softuerët industrial dhe energjinë jeshile.

Sipërmarrja e saj e fundit në kriptovalutë ka për qëllim të ndihmojë në ndjekjen e zhvillimeve në sigurinë kibernetike dhe transaksionet financiare, shkruan agjencia mediatike Bloomberg.

“Drejtimi është i qartë: financat do të mbarojnë, po ashtu edhe nafta”, tha Rokke.

“Pyetja nuk është nëse ndodh apo jo, por kur do të ndodhë”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore