Lajme

Milatoviç takon Gjukanoviç-in: Një shembull i transferimit demokratik të pushtetit


Presidenti i sapozgjedhur i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, ka zhvilluar takimin e parë në kuadër të dorëzimit të detyrës nga dy takimet e planifikuara me presidentin në largim, Milo Gjukanoviç, të cilin e kishte mposhtur në zgjedhjet e 2 prillit, pasi që kishte fituar besimin e më shumë se 60 për qind të qytetarëve malazezë.

Takimi i dytë në mes të Milatoviç-it dhe Gjukanoviç-it do të mbahet javën e ardhshme, raporton media malazeze Vijesti.

Milatoviç e vlerësoi takimin me paraardhësin e tij si “shembull i një transferimi demokratik të pushtetit”.

Ndërsa, zyrtarisht Jakov Milatoviç do ta marrë mandatin me 20 maj, ku edhe do të mbahet ceremonia e inaugurimit në Podgoricë.

Pas inaugurimit në Parlamentin e Malit të Zi, kreu malazez do të organizojë “koktej inaugurues” me presidentët e rajonit të Ballkanit Perëndimor.

Ndonëse ende nuk janë konfirmuar pjesëmarrësit dhe të ftuarit në këtë ceremoni përuruese, mediat malazeze kanë njoftuar se ftesa iu është dërguar presidentëve të rajonit: presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, presidentit të Maqedonisë Veriore, Stevo Pendarovksi dhe atij të Kroacisë, Zoran Milanoviç.

Të ftuar për të marrë pjesë në ceremoninë inauguruese të presidentit të ri të Malit të Zi, sipas mediave malazeze, janë edhe anëtarët e Presidencës Trepalëshe të Bosnje dhe Hercegovinës: Zheljka Cvijanoviç, Denis Beçiroviç dhe Zheljko Komshiç.

E ftuar është edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Lajmin për Albanian Post e ka konfirmuar këshilltari për media i presidentes, Bekim Kupina.

“Ftesa për Presidenten Osmani për pjesëmarrje në inaugurimin e presidentit Milatoviç ka ardhë”, tha Kupina për AP.

Për herë të parë në historinë moderne të shtetit malazez, inaugurimi i presidentit malazez nuk do të bëhet në Cetinje, qyteti që e ka statusin e kryeqytetit, por në Villa “Goricë”, që është e vendosur në shpatet jugore të kodrës së Goricës në Podgoricë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore