Lajme

Milatoviç: Pas Brukselit do ta vizitojë Beogradin


Presidenti i Malit te Zi, Jakov Milatoviç.

Presidenti i sapozgjedhur i Malit të Zi, Jakov Milatoviç, në një intervistë për televizionin publik malazez ka thënë se pas vizitës së tij të parë në Bruksel me 30 maj, “do ta vizitojë Beogradin”.

“Kam marrë ftesa të shumta, kam thënë se mendoj se është e rëndësishme dhe me kuptim demokratik të vizitoj Beogradin shumë shpejt, pas Brukselit”, tha Miltavoiç, teksa shtoi se “Serbia është partneri ynë më i madh ekonomik”.

Ftesa për ta vizituar Beogradin ai thotë se i ka ardhur drejtpërdrejtë nga Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në mënyrë verbale në ditën e inaugurimit të tij si president, ku Vuçiç ishte pjesëmarrës.

Milatoviç kishte deklaruar shumë shpesh gjatë fushatës zgjedhore se nuk do ta ndryshojë kursin e Malit të Zi drejt Bashkimit Evropian, prandaj thotë se edhe vizita e tij e parë është në këtë frymë.

“Së pari do të vizitoj Brukselin dhe do të dërgoj një mesazh simbolik se rruga evropiane e Malit të Zi është prioritet i të gjitha prioriteteve gjatë mandatit tim”, duke treguar se do të takohet me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

Përveç Brukselit dhe Serbisë, ai shprehet optimist se shumë shpejt do ta vizitojë edhe Uashingtonin, dhe beson se letra e urimit e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, “tregon qartë përkushtimin e SHBA-së për reformat në Mal të Zi”.

“Jam i kënaqur me një angazhim të tillë dhe pritet vizita ime në Uashington, e cila do të ndikojë në thellimin e partneritetit. Një mesazh ka ardhur edhe nga presidenti i Kinës dhe zyrtarë të tjerë, që është një mesazh shumë i mirë. Shpresoj që si President i Malit të Zi, do të zhvilloj edhe më tej partneritetet dhe me vendet e rajonit dhe me vendet e tjera”, shtoi presidenti malazez.

I pyetur për nismën rajonale Ballkani i Hapur, ai thekson se prioritet i Malit të Zi nën udhëheqjen e tij është bashkëpunimi ekonomik rajonal që zhvillohet në kuadër të procesit të Berlinit, i cili siç thotë ai “i lidhë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor dhe që lidh Ballkanin Perëndimor me BE-në”.

“Por në fund, si ekonomist dhe politikan, unë i mbështes të gjitha iniciativat tjera. Ballkani i Hapur ka përparësitë e veta dhe Mali i Zi, si pjesëmarrës aktiv në atë proces, mund t’i shtojë vlerë atij procesi, me kusht që të vihet në fokusin tonë; për integrimet evropiane”, potencoi Milatoviç.

Ndryshe, Jakov Milatoviç është inauguruar me 20 maj në parlamentin e Malit të Zi.

Në ceremoninë e inaugurimit të presidentit të ri malazez kanë marrë pjesë zyrtarë të shumtë të lartë nga Mali i Zi, rajoni dhe bota, drejtues të institucioneve shtetërore, anëtarë të trupit diplomatik, përfshirë edhe Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Presidenti në Mal të Zi ka mandat pesëvjeçar. Në këtë pozitë Milatoviç, e ka zëvendësuar veteranin e politikës malazeze, Milo Gjukanoviç, të cilin e mposhti në zgjedhjet e 2 prillit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore