Lajme

Milanoviç shpall kandidaturën për Kryeministër të Kroacisë, nga pozita e Presidentit


Zoran Milanoviç

Zoran Milanoviç, aktualisht President i Kroacisë, papritmas, pasi që ka shpallur zgjedhjet parlamentare më 17 prill, ka bërë të ditur se do të garojë për pozitën e kryeministrit, dhe në garë do të marrë pjesë në petkun e presidentit.

Lajmin e ka bërë të ditur Milanoviç të premten, përmes një postimi në Facebook, ku ka thënë se nga pozita e presidentit kroat do të jap dorëheqje pas zgjedhjeve parlamentare, për të cilat është i sigurt se do t’i fitojë.

“Të nderuar qytetarë, burra dhe gra kroate, kam vendosur të kandidoj si kandidat i pavarur dhe jopartiak në listën e SDP-së në zgjedhjet për Kuvendin e Kroacisë, të cilat do të mbahen më 17 prill të këtij viti”, shkroi ai.

“Pas fitores zgjedhore, për të cilën jam i sigurt, do të largohem nga posti im si President i Republikës dhe, me mbështetjen e shumicës së re në Parlamentin kroat, do të marr përgjegjësinë për drejtimin e Qeverisë së Republikës së Kroacisë”.

Ai theksoi se deri në marrjen e detyrës së re, do të vazhdojë që të kryej detyrën si President i Republikës së Kroacisë “në përputhje me detyrimet dhe detyrat e mia kushtetuese”.

Mirëpo, një veprim i tillë i Milanoviç-it – i njohur për qëndrimet e tij kontroverse – që si president të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare nga njohës të cështjeve kushtetuese në Kroaci po konsiderohet si anti-kushtetues.

Ekspertja kushtetuese Sanja Bariç deklaroi se Gjykata Kushtetuese duhet t’i thotë Milanoviç-it se ai mund të kandidojë për kryeministër vetëm nëse së pari jep dorëheqjen nga posti aktual.

Në lidhje me këtë çështje është deklaruar edhe Gjykata Kushtetuese e Kroacisë, të cilët edhe kanë njoftuar se kur do ta marrin vendimin lidhur me kandidaturën e Milanoviç-it.

“Gjykata Kushtetuese e Kroacisë njofton opinionin se Kryetari i Gjykatës Kushtetuese për të hënën, më 18 mars në ora 11:00, ka thirrur Ekspertizën e Gjyqtarëve dhe më pas seancën e Gjykatës me këtë rend dite – mbikëqyrja e kushtetutshmërisë. dhe ligjshmërinë e zgjedhjeve lidhur me deklaratën e Presidentit të Republikës së Kroacisë, Zoran Milanoviç, se të kandidojë në zgjedhjet për deputetë në Parlamentin kroat të shpallura me vendim të Presidentit të Republikës së Kroacisë më 15 mars 2024, “, thuhet në njoftim.

Nëse Milanoviç-it iu lejohet kandidimi në zgjedhjet e 17 prillit, të cilat do të mbahen në një ditë të pazakontë për procese zgjedhore, të mërkurën, atëherë gara kryesore do të jetë mes tij dhe kryeministrit aktual kroat, Andrej Plenkoviç.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore