Sport

Milan-i vazhdon negociatat me Real Madridin për zbritjen e çmimit të Diaz


Drejtorët e Milanit, Frederic Massara dhe Paolo Maldini janë në diskutime të vazhdueshme me Real Madridin për një marrëveshje për ta blerë me një çmim më të ulët Brahim Diaz-in.

Diaz-it i skadon kontrata në fund të sezonit, pasi që ishte në huazim dyvjeçar nga skuadra e Madridit.

Përveç sagës së vazhdueshme për zgjatjen e kontratës së Rafal Leao-s, “Gazzetta dello Sport” raporton se situata e Diaz është një nga prioritetet më të mëdha për klubin.

Megjithatë, ka ende shumë për të luajtur para asaj kohe, dhe gazeta italiane thotë se Milan-i do të synojë ta ketë spanjollin në skuadër edhe për shumë vite të tjera.

Massara dhe Maldini do të vazhdojnë të negociojnë me Real Madridin për një zbritje për çmimin e Diaz, i cili aktualisht do t’i kushtojë 22 milionë euro në përputhje me një klauzolë në kontratën e spanjollit.

Megjithatë, rreziku është që Real Madrid të ruajë të drejtën për të blerë lojtarin e tyre për 26-27 milionë euro dhe raportet thonë se gjigantët spanjollë mund ta kthejnë Diaz-in në Madrid vetëm për ta shitur atë për një tarifë më të lartë.

23-vjeçari bëri një paraqitje spektakolare në mbrëmjen e kaluar, ku Milan-i e mposhti Napolin me rezultat 0:4, aty ku Diaz shënoi një gol dhe dhuroi një asistim.

Kjo nuk ka qenë hera e parë që Diaz është protagonist për kuqezinjtë në këtë sezon, pasi në shumë ndeshje të rëndësishme ka qenë vendimtar.

Goli ndaj Tottenham-it që i kualifikoi kuqezinjtë në çerekfinale të Ligës së Kampionëve dhe ai në derbi ndaj Juventus-it kanë qenë paraqitjet tjera pozitive për 23-vjeçarin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore