Sport

Milan-i synon transferimin e Icardi-t, e konfirmon Wanda Nara


Milan-i iu është rikthyer edhe një herë “pistës” Icardi. Kuqezinjtë e kishin kërkuar futbollistin edhe sa ishte pjesë e PSG-së, por nuk arritën ta transferojnë.

Tani, kampionët e Italisë kërkojnë që ta transferojnë argjentinasin në verën e ardhshme, atëherë kur i mbaron huazimi me skuadrën turke, Galatasaray.

Lajmin e ka konfirmuar edhe vetë gruaja e Icardi-t (menaxherja e tij) Wanda Nara, e cila ka thënë se kuqezinjtë synojnë ta “rrëmbejnë” bashkëshortin e saj në afatin kalimtar të verës.

Sipas “En Son Haber” në Turqi, Wanda Nara ka folur për shtypin spanjoll për të ardhmen e 30-vjeçarit, derisa përveç interesimit nga klubi kuqezi, ajo ka thënë se edhe një tjetër skuadër italiane dëshiron shërbimet e Icardi-t.

“Milan-i dhe Roma nga Italia duan të nënshkruajnë me Icardi-n sezonin e ardhshëm. Lajmi është i vërtetë”, ka thënë ajo.

Gjithashtu u përmend se lojtari do të ishte i lumtur të rikthehej në Serinë A, ku ka luajtur për Inter-in dhe Sampdoria-n.

Icardi shënoi 124 gola për Interi-n në Serie A dhe mund të kërkojë strehim të ri pasi të skadojë huazimi i tij në Galatasaray, duke pasur parasysh se Wanda Nara gjithashtu tha se nuk ka gjasa që ai të kthehet në kryeqytetin francez.

30-vjeçari iu bashkua Galatasaray-t si huazim nga Paris Saint-Germain në fillim të sezonit dhe ka gjetur sërish formën e tij, duke shënuar nëntë gola në 12 paraqitje në ligë.

Ndërkohë, sulmuesi argjentinas ka kontratë të lidhur me PSG-në deri në verën e vitit 2024.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore