Sport

Milan-i arrin marrëveshje për rinovimin e kontratës me titullarin e tyre, do të katërfishohet paga


Pierre Kalulu është shndërruar një element kyç në formacionin e kampionëve të Italisë, Milan-it.

Kuqezinjtë me Kalulu-n raportohet se kanë arritur marrëveshje për zgjatjen e kontratës, ku do të ketë kushte shumë më të mira financiare.

Sipas asaj që shkruan gazetari i njohur italian, Farbizio Romano, Kalulu dhe Milan-i do të lidhen në kontratë të re së paku deri në verën e vitit 2027.

Gjithashtu do të ketë kushte shumë më të mira financiare për mbrojtësin 22-vjeçar, i cili aktualisht përfiton vetëm 600 mijë euro në sezon.

Sipas mediave në Itali, paga e futbollistit me pasaportë franceze do të jetë rreth 2.4 milionë euro neto në sezon.

Kujtojmë që Kalulu u ble nga ekipi i dytë i Lyon-it në verën e vitit 2020 për një shumë prej gati 1 milion euro.

Që nga mbërritja e tij në Milano, ai është shndërruar në një nga lojtarët më të rëndësishëm në formacionin e trajnerit Stefano Pioli.

Përveç që luan si qendërmbrojtës, ai po bën shumë mirë edhe në krahun e djathtë të mbrojtjes.

Një fakt interesnat lidhur me të është se Kalulu kur erdhi në Milan, e kishte një vlerë në treg rreth 1 milion euro, derisa vlera e tij tani llogaritet mbi 30 milionë euro.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore