Lajme

Mijëra njerëz ofrohen të adoptojnë foshnjën e nxjerrë nga rrënojat në Siri


Mijëra njerëz kanë ofruar të adoptojnë vajzën që lindi nën rrënojat e një ndërtese të shembur nga tërmeti shkatërrues në veri-perëndim të Sirisë.

Kur ajo u shpëtua, foshnja Aya – që do të thotë mrekulli në arabisht – ishte ende e lidhur me nënën e saj me kordonin e kërthizës.

Nëna, babai dhe të katër vëllezërit e motrat e saj ndërruan jetë pasi tërmeti goditi qytetin e Jidayris.

Tani Aya është në spital.

“Ajo mbërriti të hënën në një gjendje kaq të keqe, kishte gunga, mavijosje, ishte e ftohtë dhe mezi merrte frymë”, ka treguar Hani Marouf, pediatri që kujdeset për të.

Por tani ajo është në gjendje stabile.

Khalil al-Suwadi, një i afërm i largët, i cili ishte atje kur ajo u shpëtua e sigurt, e dërgoi të porsalindurën te doktor Marouf në qytetin sirian të Afrin-it.

Kurse tani, mijëra njerëz në mediat sociale kanë kërkuar detaje për ta adoptuar atë.

“Do të doja ta birësoja dhe t’i ofroja një jetë të denjë”, ka thënë një prej tyre.

Po ashtu një prezantuese televizive kuvajtiane ka thënë se është e gatshme të kujdeset për të nëse procedurat ligjore do ta mundësonin këtë gjë.

Menaxheri i spitalit, Khalid Attiah, ka treguar se ka marrë dhjetëra telefonata nga njerëz në mbarë botën që duan të birësojnë Aya-n.

Doktor Attiah, i cili ka një vajzë vetëm katër muajshe më të madhe se ajo, ka thënë se nuk do të lejonte birësimin e saj derisa të kthehet familja e largët. “Unë po e trajtoj atë si një nga të miat”, ka thënë ajo.

Për momentin, gruaja e tij po e ushqen me gji së bashku me vajzën e tyre.

Në qytetin e lindjes së Aya-s, Jidayris, njerëzit kanë kërkuar nëpër ndërtesat e shembura për të dashurit e saj.

Shpëtimtarët nga organizata Helmetat e Bardha, të cilët janë të njohur me nxjerrjen e njerëzve nga rrënojat për më shumë se një dekadë gjatë luftës civile të Sirisë, kanë ndihmuar në Jidayris.

Në Siri, më shumë se tre mijë të vdekur janë raportuar pas tërmetit.

Dhe kjo shifër nuk përfshin ata që kanë vdekur në zonat e kontrolluara nga opozita të vendit.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore