Lajme

Microsoft-i akuzon Kinën për sulme kibernetike


Microsoft, kompania amerikane teknologjike, ka fajësuar për sulmet ndaj software-it të saj të server-it postar, një grup kinez të spiunazhit kibernetik.

Agjensia e lajmeve, BBC, shkruan se kompania ka deklaruar se hacker-at i përkisnin një grupi të mbështetur nga shteti, i cili përbënte një aktor shumë të aftë dhe të sofistikuar.

Sipas një postimi në blog, Microsoft-i zbulon se fushata e piraterisë ka përdorur katër të meta të versioneve të ndryshme të software-it të pazbuluara më parë.

Këto të meta të lidhura me sigurinë i lanë hapësirë hacker-ave të aksesonin në distancë kutitë e postës elektronike.

BBC tregon se Qendra e Inteligjencës Kërcënuese pranë Microsoft-it ka akuzuar Hafnium-in për sulmet e kryera. Ai është një grup, i cili besohet se është sponsorizuar nga shteti dhe që vepron jashtë Kinës.

Kompania ka shpjeguar se akuzat vijnë pas një hulumtimi të taktikava dhe procedurave të vëzhguara prej të cilave zbulohej se Hafnium-i synonte studjuesit e sëmundjeve infektive, firmat ligjore, institucionet e arsimit të lartë dhe kontraktorët e mbrojtjes. Nuk mungojnë as grupimet joqeveritare apo institutet e politikave.

Edhe pse Hafnium-i është me qendër në Kinë, kompania ka thënë se operacionet e tij kryhen përmes server-ëve virtual privatë të marrë me qira në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Kjo është hera e tetë në 12 muajt e fundit që Microsoft-i, ka akuzuar publikisht grupe të shteteve-kombe që synojnë institucionet kritike të shoqërisë civile”, dallon BBC.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore