Lajme

Mësyhet rezidenca presidenciale në Sri Lanka


Mijëra demonstrues kanë mësyrë në rezidencën presidenciale të kreut të shtetit, Gotabaya Rajapaska, duke kërkuar në mënyrë të menjëhershme dorëheqjen e tij, pasi vendi po përballet me një krizë ndër më të mëdhatë në historinë e vet.

Sipas pretendimeve të protestuesve, është keqmenaxhimi i presidentit Rajapaska, ai që ka sjellë situatën në të tillë nivele.

Nuk dihet gjithsesi nëse kreu i Qeverisë ndodhet apo jo në vilën qeveritare në Colombo, ku edhe po zhvillohet demonstrata.

Disa prej personave të pranishëm në protestë, për shkak të pamundësisë për të shkuar me mjetet e tyre, duke parë mungesën e theksuar të karburantit në Sri Lanka, kanë zgjedhur të “grabisin” trenat në linjat e ndryshme hekurudhore, vetëm e vetëm për të qenë pjesë e demonstratave.

Autoritetet kanë kërkuar fillimisht të sprapsin turmën, nën argumentimin se vendi gjendet në karantinë prej të premtes në mbrëmje.

Mirëpo ky lajmërim nuk është marrë parasysh, gjë që ka bërë të mundur tërheqjen e Qeverisë nga vendimi.

Partitë opozitare dhe shoqëria civile u janë bashkuar po ashtu demonstratave për të rrëzuar nga pushteti Rajapaskan.

Në Sri Lanka, prej kohësh mungon monedha e huaj, pasi rezervat federale janë boshatisur prej krizës së madhe ekonomike që ka goditur vendin.

Nuk ka para as për të impotuar ushqim, karburant apo medikamente, të gjitha të nevojshme për një jetesë të rregullt në ishullin e Oqeanit Indian.

Kombet e Bashkuara kanë bërë gjithashtu thirrje të menjëhershme për qetësim të situatës, duke kërkuar që protesta të jetë paqësore e të mos ketë incidente.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore