Lajme

Mesazhi i ministrit italian për refuzuesit e turbinave me erë


Ministri Roberto Cingolani ka dhënë një mesazh të hapur për italianët që kundërshtojnë turbinat e reja me erë ose fermat diellore në zonën e tyre lokale.

“Alternativa është të heqësh qafe makinën tënde, pa kondicioner, pa telefon celular, pa internet fare”, ka thënë ministri i Italisë për Tranzicionin e Energjisë.

Qytetarët duhet ta kuptojnë këtë, ka këmbëngulur ai në një intervistë për të përditshmen “Financial Times”.

Fizikani dhe akademiku u emërua këtë vit nga kryeministri Mario Draghi për të udhëhequr një përpjekje për të reduktuar emetimet e karbonit në Itali.

Ministri i ri është përgjegjës për shpenzimin e rreth një të tretës së pjesës prej 200 miliardë eurosh të fondit të rimëkëmbjes së pandemisë prej 800 miliardë eurosh të Bashkimit Evropian.

Kjo pasi Italia është përfituesja më e madh e fondit.

Paratë i japin Romës një mundësi për të rindezur ekonominë e saj pas dy dekadash ngecjeje ekonomike, me tranzicionin e gjelbër qendror në planet e saj të fondit të rimëkëmbjes.

Kështu, Cingolani ka vendosur një objektiv për të prodhuar të paktën 70 për qind të energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme deri në vitin 2030.Çka rezulton të jetë një hap i madh.

Vitet e fundit, kalimi i Italisë drejt burimeve të rinovueshme ka ngecur.

Burimet e rinovueshme përbëjnë vetëm 17 për qind të totalit të përzierjes energjetike të Italisë, duke e lënë atë të varur nga gazi natyror i shtrenjtë, 95 për qind e të cilit importohet.

“Përzierja jonë e energjisë është shumë e varfër”, ka thënë Cingolani.

Sipas “Financial Times”, vendi është goditur rëndë nga rritja e fundit e çmimit të gazit.

Tanimë, qeveria ka caktuar tre miliardë euro për të ndihmuar familjet më të varfra dhe bizneset e vogla të paguajnë faturat e tyre dhe po përgatit një paketë të mëtejshme ndihme për vitin e ardhshëm.

Italisë i duhet të trefishojë kapacitetin e saj gjenerues nga era dhe dielli deri në vitin 2030, ka treguar Cingolani. Për të, “nuk ka plan B”.

Më parë drejtor shkencor i Institutit Italian të Teknologjisë, ai e cilësuar veten si “ministër teknik”, duke shmangur caktimin e tij si politik.

I pyetur nëse do të ishte e mundur të merrte miratimin e publikut për zgjerimin masiv të burimeve të rinovueshme, ai u tregua i sinqertë: “Si kudo tjetër, përgjigja është jo”.

Më parë, Roma ka shprehur dyshime për planet e BE-së për të shtrirë skemën e tregtimit të emetimeve në strehim dhe transport, gjë që do të rriste faturat e energjisë për konsumatorët.

Vendi ka deklaruar se dëshiron të kuptojë ndikimin ekonomik mbi familjet e veta përpara se të japë bekimin për të.

“Ne duam të bëjmë gjëra të mira, por ndërkohë ka probleme sociale. Qëndrueshmëria është një kompromis”, ka përmbyllur Cingolani

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore