Lajme

Mes 16 të vrarëve nga përplasja e helikopterit, edhe ministri i Brendshëm i Ukrainës


Një aksident tragjik ka ndodhur në Ukrainë, ku të paktën 16 persona kanë mbetur të vrarë si pasojë e përplasjes së një helikopteri pranë një kopshti, ku vdekjen e menjëhershme e ka gjetur edhe ministri i Brendshëm ukrainas, Denys Monastyrskyi.

Disa zyrtarë të tjerë të lartë kanë qenë po ashtu të përfshirë në këtë ngjarje, duke gjetur vdekjen.

Mes tyre, mësohet se bëhet fjalë edhe për zëvendësministrin e Brendshëm Yevgeny Enin, si edhe për Sekretarin e Shtetit, Yuri Lubkovich.

Ngjarja ndodhi në qytezën Bovary, e cila gjendet vetëm pak kilometra larg Kievit.

Përmes platformës së komunikimit Telegram, ka shpërndarë një mesazh edhe ministri i Jashtëm ukrainas, Dmytro Kuleba, i cili ka reflektuar mbi ngjarjen, duke thënë se mes të vrarëve ka edhe fëmijë dhe punonjës të kopshtit.

Deri tani, dyshohet se tre të mitur kanë qenë të përfshirë në aksident dhe të tre kanë ndërruar jetë.

Ndërsa, mbi 20 persona të tjerë, të cilët janë gjendur në afërsi të vendit të rrëzimit, janë dëmtuar rëndë.

Ata janë dërguar me urgjencë në spital për të marrë trajtimin përkatës, ku nuk ka ende të dhëna mbi rrezikun që i kanoset për jetën.

Mjekët dhe policët po punojnë mbi ndihmën e dhënë për ata të cilët janë përfshirë, si edhe për të hetuar më pas lidhur me shkaqet e plota të asaj çfarë ndodhi.

Njoftimet paraprake nga shtetarët ukrainas, e kanë hedhur dyshimin se ngjarja mund të mos jetë e lidhur me një aksident të mirëfilltë, por me një goditje nga ana e rusëve, duke parë situatën e fundit të tensionuar, apo edhe me një sabotim.

Kjo gjithsesi mbetet për t’u parë në orët në vijim.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore