Lajme

Menendez kërkon nga Serbia t’i sjellë para drejtësisë vrasësit e vëllezërve Bytyqi


Bob Menendez

Senatori amerikan, Bob Menendez, njëherë Kryetar i Komisionit për Punë të Jashtme, nëpërmjet një cicërime në llogarinë e tij në “Twitter”, i ka bërë thirrje autoriteteve të Serbisë që të zbardhin dhe të sjellin para drejtësisë përgjegjësit e vrasjes së vëllezërve Bytyqi – Agronit (23), Mehmetit (21) dhe Ylli Bytyqit (25).

“24 vjet më parë, vëllezërit dhe shtetasit amerikanë Ylli, Agroni dhe Mehmet Bytyqi u ekzekutuan pamëshirshëm në burgun serb. Presidenti [i Serbisë, Aleksandër] Vuçiç (atëherë kryeministër) premtoi ‘drejtësi’, por asnjëherë s’e ndoqi. Serbia të hetojë plotësisht dhe të mbajë përgjegjës ata që qëndrojnë pas këtyre krimeve të tmerrshme”.

Edhe Departamenti i Shtetit ka bërë thirrje që vrasësit e vëllezërve Bytyqi, të cilët jetonin dhe vepronin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, të vrarë 24 vjet më parë nga njësitet speciale të policisë serbe në territorin e Serbisë, teksa po ndihmonin një familje rome të kalonin kufirin gjatë luftës, të sillen para drejtësisë.

“Sërish i bëjmë thirrje Serbisë që të hetojë plotësisht këtë rast dhe të kërkojë llogari nga ata që e kanë kryer dhe e kanë mbuluar këtë akt brutal. Ne do të vazhdojmë këtë thirrje deri në vendosjen e drejtësisë”, ka deklaruar Matthew Miller, zëdhënësi i DASH-it.

Trupat e Agronit, Mehmetit dhe Ylli Bytyqit janë gjetur në një bazë policore në lindje të Serbisë. Ata ishin gjetur mbi një varrezë masive që përmbante kufomat e 70 burrave dhe grave nga Kosova. Vëllezërit Bytyqi ishin pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Goran Radosavljeviç i njohur me nofkën Guri ishte komandant i njësive speciale të Policisë së Serbisë gjatë kohës së luftës në Kosovë. Ai ishte udhëheqës i kampit të trajnimit të njësiteve policore serbe në Petrovo Selo ku vëllezërit Bytyçi u vranë dhe më pas u varrosën me dhjetëra shqiptarë të tjerë.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore