Lajme

Mehaj: Ushtria Amerikane – garantuesi më i madhe i sigurisë së Kosovës


Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj gjatë vizitës në Kampin Amerikan "Bondsteel”

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka falënderuar ushtrinë Amerikane, për kontributin e dhënë për zhvillimin dhe avancimin e Kosovës në fushën e sigurisë.

Ai, e ka konsideruar ushtrinë Amerikane si garantuesin më të madh të sigurisë së Kosovës, rajonit e më gjerë.

Këto deklarata Ministri Mehaj, ka bërë gjatë vizitës së tij në Kampin Amerikan “Bondsteel”.

“Gjithçka që është ndërtuar, zhvilluar dhe avancuar në sistemin e mbrojtjes dhe sigurisë në vendin tonë në përgjithësi dhe Ministrinë e Mbrojtjes dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në veçanti,  i atribuohet rolit jetik dhe mbështetjes së pazëvendësueshme të SHBA-së dhe ushtrisë së saj”, ka shkruar Mehaj në Facebook.

“Ushtria Amerikane ishte dhe është garanti kryesor i sigurisë së Kosovës, si dhe garanti kryesor i paqes, sigurisë dhe stabilitetit rajonal dhe global”.

Mehaj, gjatë vizitës është shprehur falënderues edhe për ndihmën që ka ofruar njësiti i helikopterëve në kuadër të KFOR-it, në parandalimin e zjarreve.

“Shpreha falënderimin dhe mirënjohjen edhe për angazhimin e pazëvendësueshëm të njësisë së helikopterëve në shuarjen e zjarreve”.

Përndryshe, Kosova dy javët e fundit është ballafaquar me zjarre të shumta në disa pika të territorit të saj.

Agjencia e Menaxhimit Emergjent e Ministrisë së Punëve të Brendshme, gjatë ditës së enjte kishte bërë të ditur se, në Kosovë janë 9 vatra aktive ku përveç zonës së bjeshkëve të Rugovës, rreziku paraqitet edhe për komunën e Suharekës dhe Prizrenit me vatra të reja zjarri.

 

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore