Kosova

Mehaj: Shpreh keqardhje për ushtarin hungarez – grupet kriminale duhet të marrin dënimin meritor


Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka shprehur keqardhje për ushtarin hungarez i cili ishte lënduar nga ana e grupeve kriminale serbe në Zveçan dhe të njëjtit i është dashur t’i amputohet këmba.

Mehaj, përmes një shkrimi në rrjetin social ‘Facebook’, ka thënë që shpreson që ushtarët tjerë të plagosur të rikuperohen sa më parë.

“Shpreh keqardhjen time me rastin e pranimit të informacionit se ushtarit hungarez të KFOR-it, të lënduar nga ane e grupeve kriminale serbe gjatë protestave në Zveçan, për shkak të gjendjes së rënduar shëndetësore është dashur që t’i amputohet këmba nga ana e mjekëve të Institutit Kombëtar të Rehabilitimit Mjekësor në Hungari”.

“Uroj që 26 ushtarët tjerë hungarez të plagosur sa më parë të rikuperohen, e të vazhdojnë angazhimin e tyre në kuadër të misionit të KFOR-it”, ka theksuar ai.

Ndërsa, ka shtuar se grupet kriminale duhet të marrin dënimin që e meritojnë për këto sulme.

“Grupet kriminale përgjegjëse për sulmin ndaj pjesëtarëve të KFOR-it duhet të marrin dënimin meritor”.

“Dhuna është e papranueshme dhe asnjë formë nuk mund të zmbraps ushtrimin e rendit e ligjit, mjeteve demokratike të pakontestueshme, të drejta e të domosdoshme për sigurinë e vendit dhe të qytetarëve të Republikës së Kosovës”.

Një ushtari hungarez të misionit paqeruajtës të NATO-së në Kosovë (KFOR), të premten i është amputuar njëra këmbë pas lëndimeve të marra nga protestuesit e dhunshëm në Zveçan më 29 maj.

Këtë e ka njoftuar mediumi hungarez “Telex“, duke iu referuar një njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare të Hungarisë.

“Pavarësisht nivelit të lartë të kujdesit mjekësor, pas një konsultimi paraprak me pacientin, duke marrë parasysh rezultatet e trajtimeve të ofruara që nga lëndimi, një nga rastet e kishte të obligueshme amputimin e një gjymtyre, e cila u krye të premten në Institutin Kombëtar të Rehabilitimit Mjekësor”, thuhet në njoftim.

Në njoftimin e ministrisë hungareze thuhet se operacioni ka shkuar mirë, ndërsa gjendja e pacientit është stabile.

Nga ministria po ashtu është bërë me dije se shumica e ushtarëve hungarezë të KFOR-it janë kthyer në shtëpitë e tyre, por gjendja e dy ushtarëve është ende e rëndë dhe ata janë ende duke u trajtuar në spital.

Tensionet janë kthyer në pjesën veriore të Kosovës, pas zgjedhjeve lokale të 23 prillit për katër kryetarët e komunave në veri të vendit – Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe Mitrovicë e Veriut – të cilat i fituan kandidatët shqiptarë nga Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës.

Serbët lokalë janë duke protestuar që prej 29 majit në këto komuna të banuara me serbë etnikë për të kundërshtuar kryetarët e rinj shqiptarë dhe prezencën e njësive speciale të Policisë së Kosovës në afërsi të objekteve komunale atje.

Qetësimi i situatës në pjesën veriore të Kosovës, mbajtja e zgjedhjeve të reja lokale atje dhe kthimi në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi janë tri kërkesat e përbashkëta të bashkësisë së organizuar ndërkombëtare për de-përshkallëzimin e gjendjes në terren.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore