Lajme

Mehaj kërkon përshpejtimin e procedurave për blerjen e armëve nga SHBA-të


Armend Mehaj dhe Douglas Bush

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, i cili është për një vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka realizuar një takim me ushtruesin e detyrës së Ndihmës Sekretarit të Ushtrisë për Blerje, Logjistikë dhe Teknologji në Departamentin e Mbrojtjes të SHBA-së, Douglas Bush, ku ka diskutuar për nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës për armatime.

Takimin në fjalë e ka lajmëruar vetë Mehaj përmes një statusi në rrjetin e tij social në Facebook.

Sipas Mehaj, ai gjatë bisedës me Bush ka diskutuar edhe për përshpejtimin e procedurave të prokurimit për blerje të armatimit dhe për rëndësinë e rritjes së trajnimeve.

“Furnizimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës me pajisjet më moderne ushtarake është synimi ynë. Me Bush diskutuam rreth nevojave të FSK-së për armatime, rëndësisë së përshpejtimit të procedurave të prokurimit të këtyre pajisjeve, si dhe rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit duke rritur numrin e trajnimeve, shkollimin e oficerëve dhe stërvitjeve të përbashkëta”, ka shkruar Mehaj.

Mehaj ka shtuar se Bushin e ka njoftuar edhe për përgatitjet e Forcës së Sigurisë së Kosovës për ushtrimin “Defender 23” ku do të marrë pjesë me mbi 1 mijë e 300 ushtarë.

“FSK-ja është e përkushtuar për plotësimin e të gjitha standardeve të NATO-s në fushën ushtarake, dhe po ashtu është gjithmonë e gatshme të marr pjesë në misione paqeruajtëse dhe humanitare përkrah aleatëve tanë”, ka shkruar ai.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore