Lajme

Medvedev: Vetëm armët bërthamore të Rusisë e pengojnë Perëndimin të shpallë luftë


Arsenali bërthamor i Rusisë dhe rregullat që Moska ka përcaktuar për përdorimin e tij janë faktorët e vetëm që pengojnë Perëndimin të nisë një luftë kundër Rusisë.

Kështu deklaroi ish-presidenti rus Dmitry Medvedev, cituar nga agjencia “Reuters”.

Nënkryetari i Këshillit të Sigurisë të Rusisë, tha gjithashtu se Moska do të vazhdojë luftën e saj në Ukrainë derisa “regjimi i neveritshëm, pothuajse fashist” në Kiev të hiqet dhe vendi të jetë çmilitarizuar plotësisht.

Në një intervistë të transmetuar veçmas të dielën, Putin tha se Rusia është e gatshme të negociojë me të gjitha palët e përfshira në luftë, por tha se Kievi dhe mbështetësit e tij perëndimorë kanë refuzuar të angazhohen në bisedime.

Medvedev, i cili dikur e konsideronte veten si një modernizues liberal si president nga viti 2008 deri në vitin 2012, është një nga përkrahësit më të ashpër të luftës.

Ai denoncon rregullisht Perëndimin, të cilin ai e akuzon se dëshiron të copëtojë Rusinë për të përfituar Ukrainën.

“A është Perëndimi gati të lëshojë një luftë të plotë kundër nesh, duke përfshirë një luftë bërthamore, në duart e Kievit?”, shkroi ai në një artikull prej 4 mijë e 500 fjalësh për gazetën “Rossiiskaya”. “E vetmja gjë që i ndalon armiqtë tanë sot është të kuptuarit se Rusia do të udhëhiqet nga bazat e politikës shtetërore … mbi parandalimin bërthamor. Dhe në rast se do të shfaqet një kërcënim real, ajo do të veprojë kundër tyre”.

Putin dhe zyrtarë të tjerë të lartë kanë thënë vazhdimisht se politika e Rusisë për armët bërthamore dikton se ato mund të përdoren nëse ekziston një kërcënim për integritetin territorial.

Rusia ka stokun më të madh në botë të armëve bërthamore, me afro 6 mijë koka luftarake, sipas ekspertëve.

Në fillim të këtij muaji, Putin tha se rreziku i një lufte bërthamore po rritej, por këmbënguli se Rusia nuk ishte “çmendur” dhe se ajo e shihte arsenalin e saj bërthamor si një parandalues thjesht mbrojtës.

Medvedev tha gjithashtu se Rusia mund të harrojë lidhjet normale me Perëndimin për vite dhe ndoshta dekada në vijim dhe do të fokusohet në vend të kësaj në marrëdhëniet me pjesën tjetër të botës.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore