Lajme

Mediumi i afërt me presidentin Erdogan konsideron si “turp të madh” dhe “vendim skandaloz” dënimin e ish-shefit të AKI-së në rastin e “Gylenistëve”


Cihan Özkan, Kahraman Demirez, Hasan Hüseyin Günakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Yusuf Karabina

Si turp të madh dhe vendim skandaloz, e ka cilësuar mediumi i afërt me pushtetin aktual në Turqi, Yeni Safak, vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila të mërkurën e ka dënuar me katër vjet e tetë muaj burgim, Driton Gashin, ish-shefin e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, në rastin e njohur si “Gylenistët”.

Organizata FETO – pjesëtarë e të cilës konsideroheshin të ishin Cihan Özkan, Kahraman Demirez, Hasan Hüseyin Günakan, Mustafa Erdem, Osman Karakaya dhe Yusuf Karabina, të cilët u dëbuan nga Kosova para katër vitesh pas një aksioni të Policisë së Kosovës në koordinim me AKI-në për të cilën u dënua edhe Gashi – në Turqi është shpallur si organizatë terroriste me pretekstin se ishte organizatore e puçit të dështuar më 15 korrik të vitit 2016.

“Kosova, e cila është kthyer në bazën e FETO-s në Ballkan, këtë herë ndëshkoi burokratin që luftoi kundër organizatës. Shefi i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, Driton Gashi, i cili ndihmoi MIT-in në paketimin dhe sjelljen e 6 anëtarëve të FETO-s në Turqi në vitin 2018, u dënua me 4 vjet e 8 muaj burg për gjoja ‘keqpërdorim të detyrës’”, shkruan gazeta në fjalë.

“Ndërkohë që lufta e Turqisë kundër organizatës terroriste FETO vazhdoi pa ndërprerje si brenda dhe jashtë vendit, në Kosovë u mor një vendim skandaloz. Në vitin 2018, në operacionin e përbashkët të AKI-së dhe MİT-it, një goditje të rëndë iu dha strukturës ballkanike të organizatës dhe 6 anëtarë të FETO-s”.

“Driton Gashi, i cili ka punuar me Turqinë në operacion dhe ka luajtur një rol aktiv në luftën kundër FETO-s, është dënuar me 4 vjet e 8 muaj burg si pasojë e padisë së ngritur kundër tij pas operacionit për ‘shpërdorim të detyrës’. Vendimi i turpshëm, i cili e justifikoi atë me mbulimin e ‘shkeljeve të të drejtave të njeriut’, zbuloi se FETO është ende mjaft aktive dhe me ndikim në institucionet shtetërore në rajon”, shkruan ndër të tjera gazeta në fjalë.

Aktakuza e Prokurorisë për rastin e “Gylenistëve” – pse u vlerësua se po rrezikohet siguria kombëtare?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore