Shqipëria

Mediu në GJKKO: Do të përgjigjem pasi të jenë dëgjuar të gjithë dëshmitarët


Për ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, këtë të mërkurë është mbajtur seanca gjyqësore në Gjykatën e Posaçme GJKKO, ku ai ka dhënë pëlqimin për të folur para prokurorëve, por në fund të procesit.

“Pranoj tu përgjigjem çdo pyetje të prokurorëve, por do ta bëj këtë në fund të këtij procesi, mbasi të jenë dëgjuar gjithë dëshmitarët e palëve dhe të jenë shqyrtuar të gjitha aktet dhe provat shkresore”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se, në të kundërt, “zhvillimi i seancës së pyetjeve ndaj meje, në këtë moment të procesit do të jetë thjeshtë një akt formal, që nuk i shërben aspak të vërtetës, por thjeshtë statistikës”.

Mediu po hetohet për rastin e tragjedisë së Gërdecit që ndodhi më 15 mars të vitit 2008. Ai po hetohet për shpërdorim detyre.

“Pavarësisht se ky proces penal kundër meje ka nisur dhe po vazhdon në kundërshtim me Kodin Penal dhe Kodin e Procedurës Penale, kam zgjedhur të respektoj institucionin e Gjykatës dhe Prokurorisë dhe kundërshtimin ndaj kësaj paligjshmërie ta bëj në këtë sallë”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, nuk ka bërë politikë me këtë çështje “edhe pse paligjshmëria për çdo njeri me dije minimale juridike është flagrante dhe nuk i jam shmangur apo larguar qoftë edhe një çast përballjes me drejtësinë në këto 17 vite”.

“Kam qenë këtu në çdo seancë për të dëgjuar me vëmendje të gjithë dëshmitarët me të cilët akuza pretendon të provojë fajësinë time”, ka vijuar ai.

“Asnjëri prej tyre nuk ka dëshmuar qoftë edhe një fjalë të vetme kundër veprimeve të mia, madje kanë treguar qartë se Ministri nuk ka përcaktuar Gërdecin, nuk ka përcaktuar kalibrat si dhe nuk ka përgjegjësi për zbatimin e Rregullores së trajtimit të municioneve sepse ato janë çështje tërësisht ushtarake”.

Referuar fjalës së Mediut para gjykatës, ministri si autoritet civil drejtues i Ministrisë së Mbrojtjes, ka respektuar vendimet e strukturave civile dhe ushtarake të ngarkuara me ligj.

“Nuk ka asnjë dëshmi që të kem, injoruar dhe ndikuar në asnjë rast vendimmarrjen e tyre. Kam zbatuar ligjin dhe detyrat e mija si Ministër i Mbrojtjes. Kam kërkuar nga strukturat ushtarake dhe civile të raportojnë detyrat e ngarkuara me ligj në mënyrë periodike tek autoritet e tyre drejtuese dhe tek Ministri”.

Mediu ka shtuar se nuk ka pasur asnjë raportim për moszbatim të detyrimeve ligjore apo rregullave të trajtimit të municioneve.

“Do të jem këtu në çdo moment për të debatuar dhe vlerësuar çdo dokument apo fakt që kërkon të sjell prokuroria si provë në këtë proces. Kam bindjen se vlerësimi i paanshëm dhe i vërtetë me ekspertë i akteve të ekspertimeve ushtarake, ekonomike dhe fakti pse ka ndodhur ngjarja, do të hidhnin dritë mbi të vërtetën e cila manipulohet qëllimisht prej 17 vitesh”.

“Për 17 vite unë nuk jam pyetur. SPAK për dy vjet nuk më pyeti dhe hetoi çfarë donte, padyshim kjo është detyra e SPAK të hetojë, por mendoj se në dy vite duhet të kishte pasur vullnetin për të dëgjuar dhe të vërtetën time për të bërë drejtësi dhe për të ndryshuar edhe veprimet e qëllimshme të ish-Prokurorëve”.

Për fat të keq, sipas tij, kjo nuk ndodhi.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore