Lajme

Media serbe: INTERPOL-i heq nga rendi i ditës diskutimin për anëtarësimin e Kosovës


Ilustrim

Diskutimi për anëtarësimin e Kosovës në Organizatën Ndërkombëtare të Policisë Kriminale (INTERPOL) është hequr nga rendi i ditës së Komitetit Ekzekutiv të organizatës me të madhe të policisë ndërkombëtare, pretendon agjencia serbe e lajmeve “Tanjug“.

Ndër synimet më të mëdha të Kosovës ishte ai i anëtarësimit në këtë organizatë që lehtëson bashkëpunimin policor në mbarë botën, e cila përbëhet nga 194 vende anëtare. Mirëpo, pavarësisht aplikimit të vazhdueshëm, Kosova ka dështuar të bëhet pjesë e kësaj organizate.

Sipas pretendimeve të “Tanjug”, diskutimi për anëtarësimin e Kosovës ka qenë në draft-dokumentin e parë të rendit të ditës, por nuk është në agjendën përfundimtare. Megjithatë, nuk dihet akoma nëse ekzekutivi kosovar ka dorëzuar zyrtarisht aplikimin për anëtarësim.

Kosova deri më tani ka aplikuar katër herë për anëtarësim në INTERPOL – në 2010, 2015, 2017 dhe 2018 – kurse në vitin 2019 aplikacioni është dorëzuar e më pas është tërhequr pikërisht para fillimit të Asamblesë së Përgjithshme në Santiago.

Komiteti Ekzekutiv në vitin 2010, nuk e kishte marrë fare parasysh kërkesën e parashtruar nga institucionet kosovare. Kosova kishte aplikuar sërish më 2015 dhe 2016, por nuk ishte futur në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme. Kosova më 2017, pati tërhequr vullnetarisht kërkesën.

Kosova nuk kishte arritur të bëhet anëtare e INTERPOL-it në vitin 2018, pasi që nuk mori shumicën e nevojshme, prej dy të tretave të votave të vendeve pjesëmarrëse në Asamblenë e Përgjithshme të kësaj organizate, që u organizua në Dubai.

Në rrethin e parë të votimit, anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL e kishin mbështetur 76 shtete, kundër saj ishin 56 shtete, kurse 22 vende kishin abstenuar. Ndërkaq, në rrethin e dytë të votimit, Kosova mori 68 vota për, 51 kundër dhe 16 abstenime.

Ndërkohë që Kosova kishte dështuar për t’u anëtarësuar në këtë organizatë, në po të njëjtën ditë, Asambleja e Përgjithshme kishte votuar për anëtarësimin e dy vendeve të reja, Kiribati dhe Vanuatu.

Ç’u bë me zotimin e Sveçlës se Kosova do aplikonte për anëtarësim në INTERPOL këtë vit?

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore