Shqipëria

Me spektakël fishekzjarresh dhe liri lëvizjeje, Shqipëria mirëpret vitin 2022


Viti 2022 ka nisur zyrtarisht rrugëtimin e tij 365 ditësh në gjithë globin, teksa ora ka shënuar 00:00, duke e sjellë atë edhe në Shqipëri dhe në pjesën më të madhe të Evropës.

Nën një spektakël të vërtetë fishekzjarresh dhe mundësi lëvizjeje të lirë gjatë kësaj nate, përkundër kufizimeve prej një viti për shkak të virusit COVID-19, kryeqyteti shqiptar, Tirana dhe gjithë qytetet e tjera nga veriu në jug, 2022-shin e kanë pritur me festime në sheshet e mëdha.

Koncerte për vitin e ri janë organizuar në sheshin Skënderbej, ku janë përqëndruar edhe aktivitetet kryesore të Tiranës.

Falë lëvizjes së lirë, prenotime të mëdha ka pasur edhe në lokale të shumta ku është pritur viti i ri dhe ku do të mund të festohet deri në orët e para të mëngjesit, pas thuajse dy vjetësh privimi.

Përtej këtij fakti, nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, është apeluar për kujdes dhe respektim të masave. Ora policore sakaq, rikthehet natën e 1 janarit, duke u rivendosur kufizimi i lëvizjes prej 23:00 deri në 06:00.

Incidente të mjeteve piroteknike ende nuk janë raportuar nga ndërrimi i viteve.

Ndërsa, festa, ka përfshirë gjithë vendin.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore