Shqipëria

Më shumë biznese “Made in Albania”


Ministrja e Ekonomisë dhe Financave në Shqipëri, Anila Denaj nëpërmjet një publikimi në Twitter ka zbuluar se janë rritur aplikimet për bizneset “Made in Albania”.

Denaj shtoi se kjo mundësi që i paraqitet bizneseve vendas lidhet me promovimin e produkteve autoktone shqiptare.

Sipas ministres, ndryshe nga 6-mujori i parë i vitit të kaluar që kishte 347 aplikime, këtë vit janë depozituar 500 të tilla.

Më herët ministrja Denaj mori si shembull kompaninë “Efa Solution”, me 1 mijë punonjës, e cila po konsolidohet me tregjet e saj në Gjermani dhe Angli.

Qeveria vijon mbështetjen e vazhdueshme për sipërmarrjen “Made in Albania”.

Gjithashtu gjatë premtimeve të fushatës zgjedhore, ministrja Denaj është shprehur se “Shqipëria 2030, është Shqipëria e sipërmarrjes shqiptare, e produkteve “Made in Albania”, që konkurrojnë denjësisht tregjet rajonale dhe ndërkombëtare”.

Në fjalën e tij para të rinjve të Partisë Socialiste, Rama tha se prioritet i qeverisë është të krijojë mundësi për prodhimet Made In Albania.

Për të promovuar këto produkte, kryeministri u shfaq me dy atlete, njëra e bardhë dhe tjetra e zezë, me logon e PS, që ishin bërë në Berat.

Rëndësia e regjistrimit të pronësisë industriale

Ledina Beqiraj, drejtore e përgjithshme e DPPI-së, për Albanian Post tregon se sa i rëndësishëm është regjistrimi i PI-së.

Sipas saj, mbrojtja e të drejtave të pronësisë intelektuale i “sjell dobi të madhe shoqërisë shqiptare”, si dhe “ndikon drejtpërsëdrejti në zhvillimin ekonomik, social e kulturor të saj”.

DPPI-ja, vijon drejtoresha, inkurajon shpikjet dhe krijimtarinë e mendjes njerëzore. Prandaj, edhe mbrojtja dhe unifikimi i tyre në treg është shumë i rëndësishëm.

“Në mbarë botën po i kushtohet një vëmendje tepër e veçantë kësaj nisme”.

Sonila Meka, përgjegjëse sektori te sektori i Koordinimit, Trajnimit dhe Analizës pranë DPPI-së, shpjegon se, përveç ndikimit ekonomik, PI shërben edhe si një mjet komunikimi mes prodhuesve dhe konsumatorëve.

“Ajo transmeton mesazhin mbi cilësinë dhe origjinën e produkteve, arritjet e reja teknologjike, trendin dhe modën e fundit, duke nxitur konkurrencën për inovacion”.

Aktivitetet e DPPI-së

Në Shqipëri, DPPI-ja kryen administrimin e regjistrave të PI-ve, si dhe promovon bizneset apo idetë, të cilat janë të regjistruara pranë këtij institucioni.

Specialistja e marrëdhënieve me jashtë dhe publikun, Uendi Bushati, shpjegon se drejtoria funksionon nëpërmjet një kalendari, sipas të cilit parashikohen të preken të gjitha qytetet e Shqipërisë. Kjo, bëhet me qëllim “informimin e çdo pronari biznesi apo të interesuari lidhur me objektet e PI-së”.

“Promovimin, përgjithësisht ne zgjedhim ta bëjmë derë më derë”, thotë Bushati.

Në vijim ajo thekson se “me anë të kësaj metode, ne përpiqemi të japim shembuj konkret suksesi apo të shpjegojmë sa të mbrojtur janë objektet e PI-së kundrejt vjedhjes apo përdorimit të ideve, emrave apo logove”.

Biznesi në Shqipëri dhe regjistrimi i objekteve të Pronësisë Industriale

Beqiraj pohon se ekziston një vullnet i shprehur qartë nga qeveria shqiptare për sa i përket mbrojtës së të drejtave të pronësisë intelektuale. Kjo mbrojtje, thekson drejtoresha, garantohet në të njëjtin nivel si në të gjitha vendet e zhvilluara të botës.

“Bazuar në këtë fakt, rezultatet e çdo viti tregojnë ndërgjegjësimin e biznesit vendas, por edhe kompanive të huaja, mbi regjistrimin e objekteve të PI-së”, thekson ajo.

Gjatë vitit të kaluar, u dorëzuan 1 mijë e 115 certifikata, që dëshmojnë që objekti i kalon të gjitha filtrat për t’u mbrojtur si pronësi industriale, vijon ajo.

“Patëm rritje në aplikimet kombëtare për patenta shpikjesh. Nga 6 aplikime në vitin 2019, në 12 të tilla për vitin 2020”.

Shkarkimi dhe publikimi i teksteve nga Albanian Post nuk lejohet pa përmendur burimin. Faleminderit për respektimin e etikës së profesionit të gazetarit.

/Albanianpost.com


Lajmet kryesore